Arbëri

“Pagat e mëdha” në sektorin publik zvogëlohen nga janari

 

Në vitin e dytë që prej hyrjes në fuqi të Ligjit për Paga, pritet që të ketë zvogëlim të të ardhurave për një numër punonjësish në sektorin publik. Grupit që kanë realizuar “paga të mëdha” u janë zvogëluar aty qysh me hyrjen në fuqi të ligjit, por që kanë vazhduar të realizojnë të ardhura të njëjta shkaku i një shtese tranzitore në vlerë 100 për qind të dallimit në pagë. E nga një janari, ata do ta marrin vetëm gjysmën e shtesës

Nga janari, koeficienti i pagës në sektorin publik do të rritet për 5 euro, por të ardhurat do t’u zvogëlohen punonjësve të këtij sektori që kanë “paga të mëdha”.

Me hyrjen në fuqi të Ligjit për paga, një numri punonjësish i është zvogëluar pagesa, por që kjo nuk është ndier në vitin e parë shkaku se dallimi i të ardhurave është mbuluar me shtesën tranzitore që e kanë marrë në vlerë 100 për qind. Por, nga një janari i 2024-s, do ta marrin këtë shtesë vetëm në masën 50 për qind, e nga janari i 2025-s do të mbeten pa shtesë fare.