Auto

Ec Ma Ndryshe në Ditën pa Makina bën thirrje për përdorim të burimeve alternative në transport

Ec Ma Ndryshe në Ditën pa Makina bën thirrje për përdorim të burimeve alternative në transport

Në ditën kur shënohet “Dita pa Makina (Car Free Day )”, EC Ma Ndryshe në Prizren ka realizuar performancën publike, e cila ka adresuar rëndësinë e mbrojtjes së ambientit dhe të drejtave të shoqërisë për të jetuar në një mjedis të pastër, të sigurt dhe të qetë. Gjatë kësaj performance është bërë shpërndarja e mesazheve ndërgjegjësuese lidhur me dëmet e shkaktuara në mjedis dhe shoqëri nga përdorimi i madh i veturave. Në kuadër të këtij aktiviteti EC po ashtu ka ngritur si çështje problematike edhe uzurpimin e trotuareve nga veturat si pasojë e së cilës qytetarëve po u merret e drejta e lëvizjes së lirë dhe të sigurt nëpër rrugët e qytetit. Uzurpimi i trotuareve nëpër lagje të ndryshme të Prizrenit është vërtetuar me fotografi, ku disa prej tyre i ka vendosur në një hartë në mënyrë vizuale.

Porositë e shpërndara bëjnë thirrje për përdorim të burimeve alternative për transport në vend të veturave, meqë ato lirojnë gazra të dëmshme që shkaktojnë probleme të shumta shëndetësore e mjedisore. Përdorimi i transportit publik, biçikletave dhe ecja nëpër distanca të shkurtra janë alternativat që sot në shumë vende të botës janë duke u praktikuar dhe kanë shënuar rezultate shumë pozitive në favor të mjedisit dhe shoqërisë.