Dy kompani të mëdha botërore që merren me investime, “SoftBank” dhe “Goldman Sachs”, kanë investuar 500 milionë euro në kompaninë kroate të veturave, Rimac. Sipas kompanisë, që është ndër më të mëdhatë në rajonin e Ballkanit, vlera e prodhuesit të veturave ka kaluar shifrën e dy miliardë euroshit.
Rimac do t’i përdorë investimet e reja në biznesin e robotaksive vetëvozitëse, që janë zhvilluar që tre vjet, ka thënë themeluesi i kompanisë, Mate Rimac, për “Financial Times”.
Sipas tij, detyra e re ende është “sekret” dhe mund të mos jetë gati edhe pesë vjet, por kur të bëhet “do të jetë më e madhe se çka do e bërë deri tash”.
Biznesi ka testuar prototipat qe dy vjet, por po pret deri që teknologjia të jetë plotësisht gati për ta shpalosur para publikut.
“Jemi ndryshe nga të tjerët, që e tregojnë produktin para se të dalë”, ka thënë Rimac.
Shumë kompani të mëdha botërore kanë promovuar idenë e ngasjes vetëvozitëse para se teknologjia t’i afrohej kushteve të funksionimit.
Kompania kroate u themelua në një garazh të vogël më 2009 dhe deri tash është bërë ndër ofruesit më të kërkuar të teknologjisë në industrinë e veturave në gjithë botën.
Rimac ka prodhuar tetë vetura “Concept One” në vlerë 1.2 milionë euroshe. Modeli i saj i parë bazë, Nevera, në vlerë dy milionë euro, do të nisë të dalë në rrugë këtë verë.
Volkswagen Porsche, një nga prodhuesit e parë që ka përkrahur këtë kompani, pati investuar më herët për të blerë një përqindje aksionesh. Ka edhe investitorë italianë. Me sjelljen e “SoftBankut” dhe “Goldmanit”, kompania ka zgjeruar bazën e aksionarëve dhe po hap rrugën për listim në tregjet më të mëdha të aksioneve.
Rimac ka thënë se drejtimi i kompanisë është drejt daljes publike në tregun e aksioneve, por se s’është për ngut. Ai ka shtuar se prioritet i tij është fokusi në një kompani të fuqishme me plan afatgjatë.
Rreth 20 start-upe janë listuar në tregje të tilla në dy vjetët e fundit, me shumë prej tyre që kanë tejkaluar vlerat e brendeve të njohura të veturave.
Prodhuesi amerikan i veturave elektrike, Rivian, vitin e shkuar kaloi Volkswagenin në vlerë, edhe pse s’kishte shitur fare vetura deri atëherë.
Gjithsesi, tregu nuk sjell veç përfitime. Ka shumë kompani që pas daljes në tregjet publike kanë rënë nën vlerën e çmimit me të cilin është synuar.
Vitin e shkuar, kompania kroate nënshkroi një marrëveshje për të mbikëqyrur brendin Bugatti të Volkswagenit. Shefi Mate Rimac do ta udhëheqë grupin “Bugatti Rimac” që do të prodhojë modele për të dyja brendet.
Kompania po ashtu planifikon të punësojë 700 persona sivjet dhe të kompletojë zhvillimin e hapësirës së re në Kroaci, për zyrat e “Bugatti Rimacut”.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.