I dyshuari për sulmin në xhaminë në Oslo del i mavijosur para gjykatës Foto: Reuters

I dyshuari për sulmin në xhaminë në Oslo del i mavijosur para gjykatës

12 August 2019 18:43

I riu që akuzohet se kreu sulmin të shtunën (10 gusht 2019) në një xhami në Oslo të Norvegjisë, u shfaq ditën e sotme në Gjykatë me shenja në fytyrë dhe në qafë.

Një gjykatës i dha lejen policisë që të mbajnë 21-vjeçarin Philip Manshaus në paraburgim për katër javë fillimisht derisa ai të hetohet për vrasje dhe shkelje të ligjit anti-terror, thuhet në vendimin e gjykatës, raporton Reuters.

Teksa hyri në sallën e gjyqit, Manshaus, i cili u buzëqeshi fotografëve, nuk pranoi asnjë krim.

Si pasojë e sulmit, një person 75-vjeçar është plagosur, ndërsa pak më vonë në një shtëpi pranë xhamisë u gjet e vdekur një grua, që raportohet të jetë gjysmë-motra e tij.

Sipas dëshmitarëve okularë, Manshaus hyri në Qendrën Islamike al-Nour me më shumë se një armë zjarri, por u ndalua nga një anëtar i xhamisë. Një burrë 65-vjeçar, anëtar i xhamisë, arriti ta kapte atë dhe në përleshje e sipër t’ia largonte armët.

Manshaus nuk foli për aq kohë sa gazetarët ishin të pranishëm, por ndonjëherë u buzëqeshi. Ai po ashtu ka thënë se nuk do të flasë as me policinë.

  • Foto: Reuters
  • Foto: Reuters
  • Foto: Reuters

“Ai po ushtron të drejtën e tij për të mos u marrë në pyetje. Ai nuk pranon asnjë faj”, tha avokatja e tij, Unni Fries, për Reuters.

Manshaus, 21-vjeçar që jetonte pranë xhamisë në dalje të kryeqytetit norvegjez, kishte shprehur pikëpamje dhe pozicione të ekstremit të djathtë kundër emigrantëve para sulmit.

Më 2011, neo-nazisti anti-mysliman Anders Behring Breivik masakroi 77 persona në atë që konsiderohet si rasti më i tmerrshëm në kohë paqeje në Norvegji, ku shumica prej tyre ishin adoleshentë në një kamp rinor.

Aktakuza zyrtare në këtë rast nuk pritet të ngrihet shpejt dhe pritet që kjo të zgjasë me muaj.

Nëse shpallet fajtor për shkelje të ligjeve anti-terror, ai mund të dënohet deri në 21 vjet burgim, po aq sa pritet të dënohet edhe nëse shpallet fajtor për vrasjen e gjysmë-motrës së tij 17 vjeçare.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme