14-vjeçarja në Kenia u vetëvra pasi u përqesh nga mësuesi për periodat, plasin protesta

12 September 2019 19:53

Qindra prindër kanë protestuar kundër stafit të një shkolle në Kenia, pasi një nxënëse u vetëvra kur mësuesi e përqeshi për menstruacionet. 14-vjeçarja vari veten në shtëpi pasi u turpërua para krejt klasës.

Nëna e saj ka deklaruar se mësuesi e quajti të papastër kur vajza e njollosi uniformën dhe ishte urdhëruar që të largohej nga klasa në qytetin Kabianget në perëndim të kryeqytetit Nairobi, transmeton KTV.

Nëna ka rrëfyer se vajza, me t’u kthyer në shtëpi i kishte treguar për atë që kishte përjetuar, por u vetëvra pastaj. Një ditë pas, më shumë se 200 prindër organizuan protestën, gjatë të cilës shkulën edhe dyert e oborrit të shkollës.

Policia përdori gaz lotsjellës për shpërndarjen e prindërve dhe arrestoi pesë prej tyre derisa shkolla është mbyllur që prej së martës.

Në anën tjetër, qysh në vitin 2017, Kenia kishte miratuar Ligjin që obligonte shkollat të mbanin peshqirë të mjaftueshëm për secilën nxënëse. Ky ligj u miratua pasi shumë prej familjeve nuk mund të blejnë produktet e menstruacioneve siç janë tamponët dhe pecetat higjienike. E, një komision parlamentar është duke hetuar përse ky ligj nuk është respektuar nëpër të gjitha shkollat.

E në një raport të Kombeve të Bashkuara nga viti 2014, thuhet se çdo 1 në 10 vajza të shteteve afrikane, mungojnë gjatë mësimit, shkaku i ciklit.

Disa prej këtyre vajzave humbin 20 për qind të mësimeve për këtë arsye, duke rritur edhe mundësinë që në një moment të braktisin fare arsimimin.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme