Botë

Kandidati për komisionar të zgjerimit të BE-së në konflikt interesi

Kandidati për komisionar të zgjerimit të BE-së në konflikt interesi

Edhe pse ende nuk ka filluar formalisht procesi i konfirmimit të komisionarëve të ardhshëm të BE-së në Parlamentin Evropian, presidentja e ardhshme, Ursula van der Leyen, është gjetur në probleme pasi të enjten Komisioni për çështje ligjore ka pezulluar dy kandidatë. Ky komision ka konstatuar se për rumunen Rovena Plumb dhe hungarezin Laszlo Trocsanyi ekziston konflikti i interesit. Ky komision është shprehur se, nëse ky konflikt interesi nuk zgjidhet, nuk mund të zhvillohen seancat dëgjimore për këta dy kandidatë, shkruan sot Koha Ditore.

Është praktikë në Parlamentin Evropian që para se të nisë procedura, Komisioni për çështje ligjore t’i verifikojë deklaratat e kandidatëve rreth ekzistimit të konfliktit të interesit. Ata javën e shkuar kishin gjetur “paqartësi” për 11 kandidatë. Shumica prej tyre i kanë sqaruar ato paqartësi dhe të enjten kanë marrë dritën e gjelbër për të vazhduar procedurën dhe do të dalin nga java e ardhshme para deputetëve të Komisionit përkatës, ku do të bëhen pyetje edhe rreth integritetit të tyre personal, por edhe për përgatitjet profesionale për ta ushtruar funksionin e komisionarit të BE-së.