Qeveria britanike shtyn përpara planet për “festivalin e Brexitit”

Qeveria britanike shtyn përpara planet për “festivalin e Brexitit”

06 November 2019 08:44

Londër, 6 nëntor – Qeveria e Boris Johnsonit është duke e shtyrë përpara planin kundërthënës për një festival të Brexitit për Britaninë e Madhe dhe Irlandën Veriore, të trashëguar nga Theresa May, por të cilin kryeministri i ri ishte detyruar ta shtynte.

Dean Creamer, drejtor i shpërndarjes për Lojërat e Commonwealthit në vitin 2022 në Birmingham, është ngarkuar me detyrën e planifikimit për projektin 120 milionë paundësh, i cilësuar nga kritikët si “festivali i Brexitit” – që do të mbahet më 2022, ka mësuar “Guardian”.

Sidoqoftë, njerëz nga institucione të artit kanë shprehur privatisht brenga mbi projektin, për të cilin disa thonë se ka të ngjarë të tjetërsojë vizitorët e mbetur të muzeve dhe galerive.

Ka pasur paralajmërime të mëparshme se ideja – e bërë publike në maj të vitit 2018 si nismë që do të “fuqizonte bashkimin tonë të çmuar” – mund të përftojë tensione në Irlandën Veriore, që vjen një vit pas njëqindvjetorit të ndarjes irlandeze dhe në përvjetorin e 100-të të fillimit të luftës qytetare irlandeze.

Festivali është cilësuar si një vitrinë e “fuqisë unike të Mbretërisë së Bashkuar në kreativitet dhe risim” me jehonat e Ekspozitës së Madhe të vitit 1851 dhe festivalit të Britanisë më 1951.

Është bërë një zotim për të shpërndarë “një program tërheqës” të ngjarjeve në art, kulturë, dizajn dhe teknologji në vitin e njëjtë me jubileun e platinit të Mbretëreshës dhe për të “thelluar” kremtimet kryesore të përvjetorëve, përfshirë ditëlindjen e 100-të të BBC-së dhe 75-vjetorin e festivaleve ndërkombëtare të Edinburghut.

Por një person nga sektori i muzeut – që është identifikuar nga planifikuesit qeveritarë si palë e interesuar – ka thënë: “Shumë prej muzeve janë goxha në mëdyshje për gjithë këtë gjë. Ka një parandjenjë se nëse është festival i Brexitit, atëherë ai mund të kthehet në një çështje etike. Gjysma e audiencave do të ishin krejtësisht armiqësore ndaj Brexitit”.

Në përgjigje ndaj kërkesës së “Guardianit” për qasje në informacione, Departamenti për Digjitalizëm, Kulturë, Media dhe Sport (DCMS) ka thënë se është krijuar një bord për programin e festivalit të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore, që mblidhet rregullisht. Anëtarët përfshijnë përfaqësues nga Zyra e Thesarit dhe Kabinetit. Është caktuar një trupë me një buxhet prej 120 milionë paundësh.

Një tjetër zyrtar senior në sektorin e kulturës ka thënë se ka pasur bisedime me zyrtarët në DCMS, por ka shtuar: “Asgjë nuk ka rrjedhur në institucionet që mund të jenë të interesuara për të. Ka infrastrukturë në vend, por secili pret deri në zgjedhjet e përgjithshme për të parë se çfarë do të ndodhë më pas”.

Ata kanë shtuar se njëri nga personat e ngarkuar në planifikim është Creameri, i cili ka një prapavijë të projekteve infrastrukturore.

I njëjti burim ka parashikuar: “Sprova e vërtetë do të jetë për të marrë një drejtor artistik. Në të vërtetë kjo varet në atë si ata kërkojnë ta brandojnë. Ne presim se do të ketë një përpjekje madhore për ta bërë atë një përpjekje kombëtare dhe jo metropolitane”.

Mendohet se ideja e festivalit do të apelojë në dashurinë e Johnsonit për ngjarje si Lojërat Olimpike, të cilat ai qe në gjendje t’i kapitalizonte sa ishte bashkiak i Londrës.

Por deputetja liberaldemokrate, Layla Moran, zëdhënëse e partisë për çështjet e DCMS-së, ka thënë: “Unë jam e befasuar që Qeveria po shkon përpara me atë që në thelb është një festival i Brexitit pavarësisht gjithçkaje që po ndodh. Është një harxhim i kotë i parave në një kohë kur shkurtimet e fondeve për shkollat, spitalet dhe shërbimet tona lokale vazhdojnë pavarësisht njoftimeve qeveritare për të kundërtën”. “Konservatorët po rropatën për të na shpërqendruar me bukë dhe cirk, por kjo nuk pi ujë”.

Lordi Ashton i Hydes, që asokohe ishte nënsekretar i shtetit në DCMS, ka thënë në Shtëpinë e Lordëve në mars se festivali ishte një mundësi tërheqëse për të kremtuar kreativitetin dhe risimin gjithandej Mbretërisë së Bashkuar, dhe sektori i muzeve pritej të luante një rol të rëndësishëm.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme