HRW-ja kundër hyrjes së Kroacisë në Schengen sherri i emigrantëve

HRW-ja kundër hyrjes së Kroacisë në Schengen sherri i emigrantëve

09 November 2019 10:18

Kroacia nuk do të duhej lejuar që të bëhet pjesë e zonës së udhëtimeve pa pasaporta të Evropës për shkak të mënyrës si i trajton emigrantët që vijnë në këtë vend prej Bosnjës dhe Serbisë fqinje, ka bërë të ditur të premten organizata kryesore botërore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Në një raport, “Human Rights Watch” ka kritikuar Komisionin Evropian, trupin ekzekutiv të Bashkimit Evropian, për shkak se ka rekomanduar gjatë muajit të shkuar që Kroacia t’i bashkohet Schengenit, zonë kjo në të cilën shtetasit e 26 vendeve të Evropës mund të udhëtojnë pa dokumente identifikuese, raporton AP, përcjell Koha Ditore.

“Kthimi i paligjshëm dhe i dhunshëm i azilkërkuesve dhe i emigrantëve nga ana e Kroacisë duhet ta diskualifikonte vendin nga hyrja në zonën Schengen”, ka thënë Lydia Gall, zyrtare e lartë e HRW-së për Evropën Lindore dhe Ballkanin. Rekomandimi pozitiv i Komisionit, sipas organizatës, “e dërgon mesazhin se abuzimet serioze të të drejtave të njeriut nuk janë pengesë për hyrje në Schengen”. HRW-ja ka sugjeruar me këtë rast që BE-ja t’i hetojë raportet e abuzimeve, e “jo ta shpërblejë Kroacinë”.

Tove Ernst, zëdhënëse e Komisionit për çështjen e emigrantëve, ka thënë se BE-ja është në kontakt me autoritetet kroate dhe se ata tanimë kanë premtuar t’i nisin hetimet lidhur me akuzat.

“Kur bëhet fjalë për pretendimet e keqtrajtimit të emigrantëve, Komisioni i trajton të këtilla pretendime me seriozitetin më të madh”, ka thënë Ernst. “Konsiderojmë se Kroacia vazhdon t’i përmbushë obligimet e veta në relacion me mbrojtjen e të drejtave të njeriut”.

Në dhjetor të 2018-s, BE-ja i ndau Kroacisë 6.8 milionë euro për fonde të emergjencës në mënyrë që të sigurohet se rojat kufitare do t’i respektojnë të drejtat fondamentale të emigrantëve.

“HRW”-ja ka bërë të ditur, po ashtu, se i ka të dokumentuara rastet e “dëbimeve kolektive” të emigrantëve nga Kroacia drejt Bosnjës dhe Serbisë, qysh nga viti 2016. Ajo ka akuzuar policinë kroate për “grushtimin dhe shkelmimin e emigrantëve” teksa ka pretenduar se dhuna është përdorur edhe kundër grave dhe fëmijëve.

“Për dallim prej deportimeve të ligjshme, emigrantët nuk kthehen në vendet e tyre të hyrjes, por dërgohen në rajonet e largëta kufitare e në disa raste edhe nëpër shtigje të zorshme e me ngrica”, ka bërë të ditur HRW-ja.

Kroacia nuk ka reaguar ndaj raportit, mirëpo zyrtarët e shtetit vazhdimisht i kanë mohuar akuzat për abuzim dhe shkelje të të drejtave të njeriut. Kroacia u bë anëtare e BE-së më 2013, ndërsa që të hyjë në zonën Schengen i duhet miratimi i të gjitha qeverive anëtarëve të bllokut.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme