Ditë të vështira për kryetaren e CDU-së, pasardhëses së Angela Merkelit

Ditë të vështira për kryetaren e CDU-së, pasardhëses së Angela Merkelit

22 November 2019 12:03

Sot fillon kongresi i CDU-së. Pas një viti si kryetare e CDU-së, Annegret Kramp-Karrenbauer, pasardhësja e Merkelit lufton me vlera të ulta në sondazhe e duket se është larg zgjedhjes si kandidate për kancelare.

Plani i saj ishte i ambicionuar: Annegret Kramp-Karrenbauer donte t'i jepte fund grindjes brenda CDU-së për orientimin e partisë konservatore, donte ta rigjallëronte atë dhe të dilte në krye për garën e ardhshme si kancelare. AKK veproi me metodën e saj, ajo vizitoi degët e partisë fillimisht, u përpoq të ndiqte një rrugë ndryshe nga Angela Merkel, duke mos u bërë pjesë e qeverisë që në fillim. Ajo donte të forconte profilin si kryetare e CDU-së.

Plani i parealizuar

Por shpejt u bë e qartë: ky plan nuk do të dilte ashtu si ishte menduar. Si kryetare e partisë, ajo është kandidatja e natyrshme për kancelare e Unionit, por vlerat në sondazhe ndërkohë janë gjysmuar. Ndër 10 politikanët më të rëndësishëm në Gjermani, AKK zë vendin e fundit. Tani janë rritur zërat, nëse kjo politikane është e përshtatshme si kandidate për kancelare. AKK ka përvojë qeverisëse, megjithëse në një land të vogël, Saar. Si ministre e Brendshme e më pas kryeministre e landit, ajo pati kaq sukses, saqë Merkel e mori atë në Berlin. "Por ajo nuk ia ka dalë si kryetare partie të vendosë piketat e saj, në mënyrë të tillë që partia të jetë e bashkuar pas saj dhe që kritikët të ulin zërin", thotë politologu nga Bonni, Frank Decker.

Vlera të ulëta në sondazhe

Problemi e ka një origjinë. E favorizuara e Angela Merkelit ajo bëri që në fillim disa gabime. Megjithëse njihej për komunikim të mirë, si kryetare e partisë ajo linte përshtypjen se nuk ishte e rafinuar sa duhet, dhe nganjëherë si e paralizuar. Pak para zgjedhjeve europiane, kur një Youtuber i njohur gjerman postoi një video, ku e deklaroi CDU-në si një parti që nuk duhet votuar, partia kërkonte me nxitim përgjigje adekuate e në fund nuk gjeti asnjë. Mënyra si u veprua me Youtuberin Rezo e dëmtoi CDU-në dhe AKK njësoj, duke lënë imazhin e një partie të mbuluar nga pluhuri i vjetërsisë dhe jo e orientuar drejt së ardhmes.

Po kaq keq ajo e menaxhoi propozimin e saj për ngritjen e një të ashtuquajture zone të sigurisë në kufirin sirian. Në intervistë me Deutsche Wellen, Kramp-Karrenbauer kërkoi këtë zonë sigurie, pa e biseduar më parë idenë në kabinetin qeveritar. Politologu Frank Decker thotë se, AKK "me sa duket nuk këshillohet mirë". Ndoshta prandaj edhe u bënë tani ndryshime personeli në ekipin e saj.

Besueshmëria ka rënë

Por për AKK nuk është kthyer në problem vetëm komunikimi. Por edhe heqja dorë në fillim nga përgjegjësia qeverisëse. Si kryetare e partisë pa post ministror, ajo shihej brenda e jashtë Gjermanisë si peshë e lehtë. Pas një gjysmë viti, ajo u desh ta korrigjojë këtë dhe kur Ursula von der Leyen kaloi në Bruksel si presidente e ardhshme e Komisionit Europian, AKK mori postin e ministres së Mbrojtjes.

"Ky ishte një operacion në nevojë që i kushtoi asaj besueshmëri", thotë Decker. Sepse është gjithmonë problematike, kur bën pohime, të cilat nuk i mban. "Opinioni publik e sheh këtë si shenjë dobësie", thotë Decker. Kështu u krijua përshtypja, se AKK nuk ia del dot si kryetare e partisë të vendosë për vete çështjen e drejtimit.

Kandidate për kancelare?

Dobësia e AKK është transmentuar tek partia. CDU arriti vlera shumë të dobta në zgjedhjet e landeve në Lindjen gjermane dhe në sondazhet federale arrin vetëm 26 deri në 27% të vlerave. "Kundër vlera të sondazheve nuk bën dot asgjë", thotë Decker. Nëse vlerat mbeten kaq të dobta, ka rrezik që brenda partisë të ketë një lloj rebelimi, mendon politologu. Për këtë arsye do sqaruar edhe çështja e kandidatit për kancelar në muajt e ardhshëm.

Por në kongresin e partisë që zhvillohet në Lajpcig (22-23.11.) kjo çështje nuk ka për t'u tematizuar. Për shkak të kritikës së vazhdueshme, AKK i sfidoi konkurrentët e saj e para. "Kush do të shtrojë pyetjen e drejtimit, e ka këtë mundësi në kongresin e partisë", tha ajo. Tani para kongresit të partisë konkurrentët tregojnë solidaritet. Friedrich Merz, një nga më kritikët e Merkelit brenda CDU (shën.red.) dhe që së fundmi e quajti performancën e qeverisë gjermane si "tmerrësisht të dobët", kishte paralajmëruar një fjalim programatik në Lajpcig, tani duket se shkelur frenat.

Pra nuk pritet ndonjë revolucion në kongresin e CDU-së. Por për çështje të caktuara, AKK mund të kritikohet. Në Lajpcig diskutohen shumë tema me potencial konflikti: pensioni bazë, kuorumi për gruan dhe angazhimi i mundshëm i koncernit Huawei në rrjetin mobil 5G në Gjermani. Po ashtu anëtarët do të vendosin, nëse për kandidatin për kancelar duhet të vendosin anëtarët e partisë.

AKK duhet të jetë bindëse në Lajpcig. Nëse ajo ia del të arrijë vlera më të mira në sondazhe, atëherë vitin e ardhshëm, mund të zgjidhet kandidate për kancelare e Unionit. Ndryshe mbetet vetëm një shans, thotë Frank Decker, se si ta mbijetojë CDU-ja dëmin e madh si parti popullore, "metoda Merkel". Me këtë politologu ka parasysh, që AKK t'ia lerë dikujt tjetër pozicionin e kandidatit për kancelar. Edhe Angela Merkel në vitin 2002, hoqi dorë nga kandidatura në favor të Edmund Stoiberit, (CSU). Kjo nuk e dëmtoi. "Më e keqja për CDU do të ishte lufta e hapur për pushtet", thotë Decker. Për ta ndalur këtë duhet bërë shumë, sepse tek CDU-ja nuk mungojnë kandidatët që presin ta marrin këtë detyrë/DW.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme