Presidenti ukrainas pret kompensim dhe hetim të plotë nga Irani për aeroplanin e rrëzuar
Ukraina pret një hetim të plotë, pranim të plotë të fajit dhe kompensim nga Irani pas rrëzimit të një aeroplani ukrainas me pasagjerë, ka thënë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, në një deklaratë të lëshuar të shtunën.
Irani tha se e kishte rrëzuar gabimisht një aeroplan duke vrarë të 176 personat në të dhe ka shprehur keqardhjen e thellë të tij, pasi fillimisht kishte mohuar rrëzimin e aeroplanit gjatë ngjarjeve pas goditjes me raketa të disa bazave ushtarake amerikane në Irak, raporton Reuters.
Zelenskiy tha se “Irani ka pranuar fajësinë për rrëzimin e aeroplanit ukrainas. Por ne insistojmë për pranim të plotë të fajit”.
“Presim nga Irani garanci për gatishmërinë e tyre për hetim të plotë dhe të hapur, duke i sjellë përgjegjësit para drejtësisë, kthimin e trupave të të vdekurve, pagimin e kompensimit, kërkimfalje zyrtare përmes kanaleve diplomatike”, ka theksuar ai, transmeton Koha.net.
SHBA-ja, Kanadaja dhe shumë vende evropiane i kanë ofruar ndihmë Ukrainës në zbardhjen e këtij rasti.