Republikanët dhe demokratët në betejën vendimtare për Trumpin

21 January 2020 19:57

Senati ka filluar me gjykimin e presidentit Donald Trump, që mund të bëhet presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara që mund të shkarkohet nga pozita e tij.

Kjo është hera e tretë në histori që një president amerikan përballet me procesin e hetimit dhe gjykimit që mund të shpjerë në shkarkim. Më parë janë gjykuar edhe presidentit Andrew Johnson e Bill Clinton.

Gjykimi i tij në Senat është një proces që mundëson t’i bëjë përgjegjës krerët e shtetit, nëse janë të dyshuar për shkeljen e detyrës.

Figurat e larta amerikane mund të hetohen për “tradhti, ryshfet dhe krime tjera të rënda”, por rasti i presidentit Trump, është gjykim politik dhe jo kriminal.

Procesi i gjykimit të tij filloi gjatë javës së kaluar kur Kongresi, që nisi hetimin për shkarkim, procedoi rastin për në Senat, transmeton KTV.

Presidenti Trump është përballë dy neneve ose akuzave.

Së pari, akuzohet për kërkim ndihme nga Qeveria e Ukrainës që të vazhdojë detyrën si president edhe pas zgjedhjeve presidenciale të nëntorit 2020. Ai dyshohet se ka ofruar miliona dollarë ndihmë ushtarake si shkëmbim që Ukraina publikisht të niste hetimet ndaj Joe Bidenit, rivalit të tij kryesor nga ana e demokratëve.

Së dyti, pasi Shtëpia e Bardhë refuzoi që të lejonte stafin e saj të dëshmonte në seancat e para dëgjimore gjatë procesit të hetimit, demokratët e akuzuan Trumpin për pengim të Kongresit që po e hetonte presidentin.

Në gjykimin që ka filluar në Senat, dy njerëz do të jenë vendimtarë, Mitch McConnel, lider i republikanëve në Senat dhe homologu i tij demokrat, Chuck Schumer.

Republikani ka kërkuar proces të shpejtë që secilës palë do t’ua jepte vetëm 24 orë për deklaratat hapëse dhe kërkon që të ketë votë nëse secila provë kundër Trumpit duhet të pranohet të dëgjohet në Senat.

Në anën tjetër, Schumeri e ka akuzuar McConnellin se po tenton të parandalojë dëgjimin e provave e, sipas tij, amerikanët duhet të dinë me saktësi ashtu siç ka ndodhur rasti.

Gjykimi do të jetë i rreptë. Senatorët nuk do të lejohen të flasin me ata që janë të ulur afër tyre derisa po dëgjohet rasti.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme