Macroni e Trumpi pajtohen për taksën e shërbimeve digjitale Foto: Getty Images

Macroni e Trumpi pajtohen për taksën e shërbimeve digjitale

21 January 2020 22:18

Forumi Botëror Ekonomik në Davos, ka dalë i frytshëm për Francën dhe SHBA-në. Presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe homologu i tij amerikan, Donald Trump, kanë arritur marrëveshje që të punojnë së bashku për të zgjidhur një mosmarrëveshje ndërmjet dy vendeve mbi taksën e shërbimeve digjitale të Parisit.

Macroni njoftoi se bisedimet mbi taksën e diskutueshme, për të cilën Zyra e tregtisë amerikane tha se diskriminon padrejtësisht kompanitë Google, Amazon dhe Facebook, do të vazhdojnë në Organizatën për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.

Përndryshe, Franca, vitin e kaluar, e miratoi Ligjin për taksat, sipas të cilit parashikohet një taksë prej 3 për qind për të ardhurat nga shërbimet digjitale, transmeton KTV. E, si kundërpërgjigje, SHBA-ja ka kërcënuar se do të vendosë taksa për produktet franceze.

Të martën Trumpi tha se rritja ekonomike amerikane do të vazhdojë. Kur u pyet për dëmin që ekonomia ia shkakton mjedisit, Trumpi tha se është person që beson shumë në mjedis.

Ndërsa, aktivistja për mjedisin, Greta Thunberg, ka marshuar me qindra aktivistë në qytetin perëndimor zviceran të Lausannes. Ajo sërish u ka bërë thirrje liderëve botërorë që ta mbrojnë planetin.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme