Të shpëtohet Perëndimi me realizëm Foto: Reuters

Të shpëtohet Perëndimi me realizëm

Berthold Kohler 15 February 2020 19:28

Koment i “Frankfurter Allgemeine Zeitung” mbi fjalimin e presidentit gjerman Frank-Walter Steinmeier në Konferencën e Sigurisë në München.

Fjalimi që presidenti gjerman e mbajti në Konferencën e Sigurisë në München ishte më shumë se një analizë e gjithmbarshme e politikës botërore. Fjalimi ishte dhe është një përpjekje për shpëtim.

Steinmeier mbajti një pledoaje për idenë ndërkohë shumëfish të përbuzur se për çdo anëtar të bashkësisë së shteteve më i mirë është bashkëpunimi që respekton rregullat dhe marrëveshjet se sa ndjekja e pamëshirshme e interesave vetjake pa marrë parasysh në dëm të kujt është kjo, transmeton Koha Ditore.

Shqetësimet që Steinmeier ka mbi gatishmërinë në rritje për konflikte të ndërlidhur me shkurtpamësinë e shtuar nuk janë të tepërta. Brutaliteti i politikës ndërkombëtare nuk po vjen nga hiçi. Ky brutalitet është jehonë dhe pasojë e një shfrenimi dhe radikalizmi jo më pak shqetësues të mendimit politik nëpër shtete.

Gatishmëria që në ndjekjen e agjendave të dyshimta të vihen në lojë të arriturat politike apo të varrosen krejtësisht, shihet edhe brenda BE-së, pra në atë projekt që do të duhej të ishte mësim nga rivaliteti nacional, “armiqësia e trashëguar” dhe lufta.

Procesi i unitetit europian kurrë nuk ka qenë pa të meta dhe rrugë të gabuara. Si çdo vepër njeriu ky proces nuk do të jetë kurrë pa gabime.

Megjithatë, politika e integrimit i ka sjellë kontinentit të prirë me shekuj drejt vetëshkatërrimit një epokë të paqes, lirisë dhe mirëqenies, siç nuk ka ekzistuar kurrë më parë. Ruajtja e kësaj Europe vërtet është “interesi ynë më elementar nacional”, siç tha Steinmeier.

E si t’i ndjekë Gjermania interesat e veta, edhe ato që i ka jashtë kufijve të Europës? Me atë realizëm për të cilin u angazhua Steinmeier. Gjermania shpesh shfaqet si mësues që jep leksione, i cili respekton vlerat e Perëndimit, por nuk shihet askund kur për të mbrojtur këto vlera kërkohet më shumë se sa predikime.

Gjermania nuk mund ta shpëtojë vetëm rendin botëror të rrezikuar në shumë vende; ky rend Gjermanisë i ka mundësuar ngritjen nga rrënojat. Por Gjermania duhet të japë kontributin e saj të mundshëm.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme