Trumpi rinominon zëvendësuesin e Grenellit për inteligjencën amerikane Foto: Reuters

Trumpi rinominon zëvendësuesin e Grenellit për inteligjencën amerikane

28 February 2020 23:52

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë të premten se do ta nominojë përfaqësuesin republikan, John Ratcliffe, si Drejtor i Inteligjencës Amerikane.

Është kjo hera e dytë që Trumpi e nominon Ratcliffen për shef të spiunazhit amerikan. Trumpi e nominoi kongresistin për këtë pozitë në korrik të vitit të kaluar, por e hodhi poshtë nominimin në fillim të gushtit pasi u ngritën pyetje rreth mungesës së përvojës së Ratcliffes dhe ekzagjerimeve të mundshme në rezymenë e tij, raporton Reuters.

“Jam i lumtur të njoftoj për nominimin e kongresistit John Ratcliffe për të qenë Drejtor i Inteligjencës Kombëtare (DNI). Procesi do të përfundonte më herët, por Johni deshi të priste deri në përfundim të raportit të Inspektorit të Përgjithshëm. Johni është një burrë i mrekullueshëm me talent të madh”, shkroi Trumpi në Twitter, transmeton Koha.net.

Më 20 shkurt, Presidenti amerikan, Donald Trump, emëroi Richard Grenellin, ambasadorin amerikan në Gjermani, njëherësh i dërguar i posaçëm i SHBA-së për bisedimet Kosovë-Serbi, ushtrues detyre të drejtorit të Inteligjencës Kombëtare.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme