18:49

Obama mbështet Bidenin për president: Joe ka karakterin dhe përvojën për të na udhëhequr

Ish-presidenti i SHBA-së, Barack Obama, do ta mbështesë ish-zv.presidentin, Joe Biden, për të fituar nominimin e Partisë Demokratike si kandidat për president në zgjedhjet e vitit 2020.

"Joe ka karakterin dhe përvojën për të na udhëhequr në një prej kohërave tona më të errëta dhe të na shërojë", tha Obama në një video 12-minutëshe të postuar sot në mediat sociale, raporton REL.

"Unë besoj se Joe i ka të gjitha cilësitë që na duhen për një president", tha Obama, duke e quajtur zgjedhjen e tij, që të garojë së bashku me Bidenin në vitin 2008, si një nga vendimet më të mira që ka marrë ndonjëherë.

Mbështetja nga Obama vjen një ditë pasi rivali i Bidenit në garën brenda demokratëve, senatori Bernie Sanders, tha se do ta mbështes ish-zv.presidentin në përpjekjen e tij për të mposhtur presidentin e SHBA-së Donald Trump, në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Mbështetja e Sandersit, e cila ndodhi një javë pasi ai doli nga gara presidenciale, u konsiderua si një përpjekje për të konsoliduar Partinë Demokratike e cila është e ndarë në ideologji.

Ekzistojnë shqetësime se disa nga krahu i saj përparimtar nuk do ta mbështesin Joe Bidenin.

17:09

Bideni pritet ta marrë edhe mbështetjen e ish-presidentit Obama

Kandidati demokrat për president të SHBA-së, Joe Biden, gjatë ditës pritet të marrë edhe mbështetjen e ish-presidentit Barack Obama, njoftoi CNN të martën.

Obama pritet t’ia ofrojë këtë mbështetje dhe të shpjegojë arsyet pse po e bën këtë përmes një video-mesazhi, kanë bërë të ditur burime pranë ish-presidentit.

Biden ishte zv.president në kohën kur Obama ishte president.

Dje, Biden mori mbështetje edhe nga senatori i Vermontit, Bernie Sanders.

Sanders u tërhoq ditë më parë nga gara brenda Partisë Demokratike, duke i hapur rrugë Bidenit të jetë kandidat për president të SHBA-së në zgjedhjet e nëntorit.