Botë

Pas 5 milionë rasteve me COVID-19, eksperti amerikan kërkon të mos llogaritet në vaksinë

Pas 5 milionë rasteve me COVID-19, eksperti amerikan kërkon të mos llogaritet në vaksinë

Një ekspert i lartë amerikan ka bërë të ditur të enjten se njerëzit nuk duhet të llogarisin se vaksina kundër COVID-19 do të zhvillohet së shpejti, teksa bilanci global i të infektuarve me koronavirusin e ri ka kaluar 5-milionëshin pas shtimit të rasteve në Amerikën Latine, përfshirë Brazilin që raportoi shifër rekorde prej 20.000 infektimesh të reja.

William Haseltine, studiues i lartë i sëmundjeve të kancerit, HIV/AIDS-it dhe i projeksioneve të gjenomit njerëzor, ka thënë se qasja më e mirë karshi pandemisë është që sëmundja të menaxhohet përmes gjurmimit të kujdesshëm të infeksioneve dhe masave strikte të izolimit kurdo që përhapja nis. Ai ka thënë se derisa vaksina mund të zhvillohet, “unë nuk llogaris në të”. Andaj ka nxitur njerëzit që të bartin maska, t’i lajnë duart, t’i pastrojnë hapësirat dhe ta mbajnë distancën.