Botë

Mali i Zi mban mbyllur kufirin me Serbinë, reagon Beogradi

Mali i Zi mban mbyllur kufirin me Serbinë, reagon Beogradi
Foto: Reuters
22:42

Mali i Zi mban mbyllur kufirin me Serbinë, reagon Beogradi

Në fillim të qershorit Mali i Zi do të hap kufijtë për disa vende, por jo edhe për Serbinë. Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq ka thënë se kufiri hapet për vende që plotësojnë kriterin epidemiologjik e që në këtë moment janë Kroacia, Sllovenia, Austria, Gjermania, Polonia, Çekia, , Hungaria, Shqipëria e Greqia.

Në mbrëmje ka reaguar kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq. Ajo ka thënë se qytetarët e Serbisë mund të shohin që nuk janë të dëshiruar në Mal të Zi.

Brnabiq ka theksuar se kufijtë e Serbisë nuk do të jenë mbyllur për banorët e Malit të Zi, por do të mbyllen për mafiozë nga Mali i Zi dhe klane kriminale.

“Do të vazhdojmë ende të sillemi me përgjegjësi dhe të flasim të vërtetën”, ka thënë Brnabiq, që vlerëson se vendimi i Mali të Zi nuk ka të bëjë me numrin e të prekurve.

“Nuk do t’ua ndalojmë qytetarëve të Malit të Zi që të hyjnë në Serbi, por do t’ua ndalojmë kriminelëve dhe klaneve mafioze nga Mali i Zi. Ky qëndrim i kryeministrit malazez ka dërguar porosi të qartë për qytetarët. Do të bëja lutje që qytetarët të rrinë në Serbi dhe mos të shkojnë atje ku serbët janë të padëshiruar”, ka shtuar Brnabiq, raporton “b92.net”.

22:24

Mali i Zi hap kufijtë nga 1 qershori

Në përputhje me vlerësimin e duhur, Mali i Zi do të hapë kufijtë e tij me vendet që plotësojnë kriteret e Institutit të Shëndetit Publik në ditët e para të qershorit, njoftoi sot kryeministri Dushko Markoviq.

Në një konferencë për media, Markoviq tha se kriter i Institutit për Shëndet Publik për hapjen e kufijve janë të paktën 25 pacientë në raport me 100 mijë banorë.

"Vendet e para me të cilat do të hapen kufijtë janë Kroacia, Sllovenia, Austria, Gjermania, Polonia, Republika Çeke, Hungaria, Shqipëria, Greqia, dhe mundësisht edhe disa vende tjera rajonale," tha Markoviq pa specifikuar nëse bëhet fjalë edhe për Kosovën.

Kur u pyet nga gazetarët për hapjen e kufijve, Markoviq tha se ishte çështje besimi, transmeton kp. 

"Ne do të hapim kufijtë për vendet që kanë një status të ngjashëm epidemiologjik. Ne nuk do të kërkojmë asnjë provë speciale. Të gjithë do të marrin udhëzime të qarta se çfarë i presin ata në vend, dhe cilat rregullore duhet të respektojnë. Dhe besoj se kjo është e mjaftueshme në këtë moment për të parandaluar importin e virusit në Mal të Zi", tha Markoviq.

Në Mal të Zi, 324 njerëz janë sëmurë me koronavirus që nga fillimi i epidemisë, 315 janë shëruar, dhe 9 pacientë kanë vdekur.

Ndryshe, Mali i Zi është vendi i parë në Evropë pa raste aktive të koronavirusit.