00:24

Protestë më e qetë në Beograd

Protesta e së enjtes mbrëma në Beograd është zhvilluar e qetë në krahasim me dy netët e kaluara kur ka pasur përleshje të mëdha me policinë.

Protestuesit kryesisht kanë qëndruar ulur, ndërsa nuk ka pasur incidente të mëdha, njoftojnë mediat beogradase. Pos ne Beograd është protestuar edhe në disa qytete tjera të Serbisë.

Protesta kishte nisur në shenjë reagimi ndaj masave të shtetit serb ndaj koronavirusit.

Të enjten protestuesit kanë mbajtur pano përmes të cilave është bërë thirrje për protesta pa dhunë.

Është raportuar për disa incidente të vogla në mes të protestuesve.

19:27

Fillon grumbullimi për tjetër protestë në Beograd

Para Kuvendit të Serbisë dhe në një park në afërsi ka filluar mbledhja e qytetarëve që përmes rrjeteve sociale janë ftuar që të protestojnë.

Në dy netët e kaluara ka pasur protesta të dhunshme në kryeqendrën e Serbisë. Fillimisht qytetarët kishin dalë në protestë për të kundërshtuar masat e autoriteteve serbe në luftë ndaj koronavirusit, që ishin bërë të ditura nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ka pasur përleshje me policinë e po ashtu dhunë të policisë ndaj qytetarëve. Videot me dhunën e policisë kanë bërë bujë në rrjetet sociale.

Sipas “b92.net”, është bërë thirrje që protesta e së enjtes të bëhet duke qëndruar ulur. Është njoftuar për mbledhjen e qindra protestuesve dhe për forca të mëdha të policisë rreth Kuvendit.

Po protestohet edhe në qytete tjera të Serbisë.