00:20

Përleshje të protestuesve dhe policisë në Beograd

Kanë vazhduar protestat e dhunshme në Beograd. Të premten demonstruesit kanë tentuar të hyjnë në objektin e Kuvendit të Serbisë. Madje disa media kanë raportuar se demonstruesit ia kanë dalë të futen në Kuvend.

Policia serbe ka intervenuar për të larguar protestuesit nga hyrja e Kuvendit.

Më pas ka pasur sulm të protestuesve ndaj policisë. Janë hedhur fishekzjarrë në drejtim të policisë, që është përgjigjur me gaz lotsjellës.

Përleshjet kanë vazhduar më pas në rrugët në afërsi të Kuvendit. Sërish ka pasur hedhje të gurëve dhe fishekzjarrëve në drejtim të policisë dhe pak para mesnate ka pasur një aksion të madh të policisë. Ka pasur edhe arrestime.

Përleshjet po vazhdojnë ende.

21:42

Protestuesit sërish futen në Kuvendin e Serbisë

Edhe sonte po protestohet në Beograd, ndërsa protestuesit ia kanë dalë të futen në objektin e Kuvendit të Serbisë. Këtë e ka bërë të ditur sajti “nova.rs”.

Protestuesit ishin futur në Kuvend edhe të martën mbrëma, kur u mbajt protesta e parë. Protesta e dhunshme ka vazhduar edhe të mërkurën kurse të enjten ishte qetë.

Disa media serbe raportojnë se po protestohet ndaj regjimit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e disa ndaj masave të paralajmëruara në luftë ndaj COVID-19.

Një grup prej dhjetëra protestuesve kanë larguar rrethojën para hyrjes në Kuvendin e Serbisë, të premten. Më pas janë futur në ndërtesë. Po hedhen edhe mjete piroteknike, ndërsa sipas raportimeve, protesta po del prej kontrollit.

Po ashtu po kërcënohen gazetarët dhe fotoreporterët.

Sajti “b92.net” ka shkruar se demonstruesit po hedhin gurë në drejtim të policisë. Ka pak policë para objektit të Kuvendit, por edhe numri i protestuesve është më i vogël. Në drejtim të policisë janë hedhur edhe fishekzjarrë. Është raportuar edhe për një protestues të therur me thikë.