Rrëfimi i një nëne: U deshën 32 vjet për ta gjetur djalin e rrëmbyer
Jingzhi përqafon të birin pas 32 vjetësh kërkimi
Li Jingzhi kaloi më shumë se tri dekada në kërkim të djalit të saj, Mao Yin, i cili ishte rrëmbyer më 1988 dhe ishte shitur. Asaj pothuajse i ishin shuar shpresat se do ta shihte përsëri, por në maj mori thirrjen e shumëpritur telefonike.
Gjatë fundjavave, Jingzhi dhe burri i saj do të dërgonin vogëlushin Mao Yin në kopshtin zoologjik, ose në ndonjërin prej parqeve të shumta të qytetit të tyre, Xi’an, kryeqytet i krahinës të Kinës qendrore, Shaanxi. Dhe një prej këtyre daljeve do të ngelej e pashlyeshme në kujtesën e saj.
“Atëherë ishte rreth një vit e gjysmë. E dërguam në kopshtin zoologjik të Xi’anit. Ai pa një krimb në tokë. Ai ishte shumë kureshtar dhe ma tregonte krimbin duke thënë, ‘mama, krimbi!’ Dhe derisa po e nxirrja nga kopshti zoologjik, po e mbante krimbin në duar dhe po ma afronte para syve”, thekson Jingzhi.
“Jia Jia”
Mao Yin ishte djali i vetëm i saj – politika kineze një çift-një fëmijë atëherë po zbatohej rreptësisht, kështu që as mund të mendohej për fëmijën e dytë. Ajo donte që djaloshi të mësonte shumë dhe të bëhej i suksesshëm në jetë, kështu që nisi t’i referohej me emrin përkëdhelës Jia Jia, apo “i Madhi”.
“Jia Jia ishte djalë me sjellje të mirë, i zgjuar, i bindshëm dhe i ndjeshëm. Nuk i pëlqente të qante. Ishte shumë i gjallë dhe për admirim. Ishte prej atyre fëmijëve që të gjithë e pëlqenin kur e shihnin”, ka thënë Jingzhi.
Ajo dhe burri e linin në mëngjes në çerdhe dhe e merrnin derisa ktheheshin nga puna.
“Përditë, pasi kthehesha nga puna, luaja me tim bir”, kujton Jingzhi. “Isha shumë e lumtur”.
Jingzhi punonte në një kompani për eksportimin e drithërave dhe gjatë kohës së korrje-shirjeve, do të shtrëngohej të largohej për disa ditë me radhë nga qyteti që t’i vizitonte furnizuesit nëpër fshatra. Jia Jia rrinte në shtëpi me babanë. Në njërin prej këtyre udhëtimeve, ajo mori një mesazh nga punëdhënësi që i thoshte se duhej të kthehej urgjentisht.
“Atëherë, telekomunikimet nuk ishte shumë të avancuara”, tregon Jingzhi. “Kështu që krejt çfarë mund të përdorje ishte një telegram me gjashtë fjalë të vetme në të: ‘Urgjencë në shtëpi; kthehu menjëherë’. Nuk e dija se çfarë kishte ngjarë”.
Lajmi i zi
Ajo u kthye shpejt në Xi’an, ku një menaxher ia kumtoi lajmin e zi.
“Lideri ynë tha një fjalë të vetme: ‘Biri yt është zhdukur’”, ka treguar Jingzhi. “M’u bë terr para syve. Mendova se mund të ketë humbur. Nuk më kish ngjarë të mos mund ta gjeja”.
Ishte tetori i vitit 1988, dhe Jia Jia ishte dy vjeç e tetë muajsh.
Burri i kishte shpjeguar gruas se e kishte marrë Jia Jian nga çerdhja dhe se ishte ndalur të merrte një shishe ujë rrugës së kthimit në shtëpi në një hotel në pronësi të familjes. Ai e kishte lënë djalin vetë vetëm dy minuta sa për ta freskuar shishen e ujit dhe kur u kthye, Jia Jia nuk ishte aty.
Jingzhi kishte menduar se do ta gjente shumë shpejt të birin.
“Mendova se mbase djali kishte humbur dhe nuk e dinte rrugën e shtëpisë dhe se njerëzit dashamirë do ta gjenin dhe do ta sillnin në shtëpi”, kujton ajo.
Por kur kaluan shtatë ditë dhe askush nuk e kishte dërguar në stacionin policor, do ta kuptonte se situata ishte shumë serioze.
Lindjet të ndaluara
Ajo nisi të pyeste këdo që shihte për Jia Jian në lagjen e hotelit. Shtypi rreth 100 mijë broshura me fotografinë e tij dhe ua dorëzoi stacioneve të hekurudhave dhe të autobusëve të Xi’anit dhe e shpalli të humbur djalin edhe në gazetat lokale. Dhe krejt ky angazhim nuk rezultoi me kurrfarë suksesi.
“Zemra po më lëngonte. Doja të shkrehesha në vaj. Doja të bërtisja”, thekson Jingzhi. “Desh më dilte zemra nga vendi”.