Botë

Presidenti bullgar del në protestë kundër kryeministrit të vendit

Presidenti bullgar del në protestë kundër kryeministrit të vendit

Opozita ka ditë që ka mbushur sheshet në Sofje kundër korrupsionit dhe uzurpimit të gjithë pushtetëve nga kryeministri. Ditët e fundit ka përplasje të dhunshme me policinë. Ndërkohë në Tiranë, Edi Rama, jo vetëm që ka bërë me keq se kryeministri bullgar, por ndryshoi edhe Kushtetutën për interesa personale. Pyetja publike shtrohet: Po në Tiranë kur do kemi protesta kundër qeverisë, mafias, medias së blerë, krimit të organizuar, kundër varfërisë dhe për vendosjen e demokracisë reale?

Në Bullgari, prej disa muajsh, mijëra qytetarë janë në protestë kundër korrupsionit qeveritar dhe drejtësisë së kapur nga kryeministri dhe banda e tij. Në rrugët e Sofjes çdo ditë ka tubime masive, të cilave u bashkohen edhe bullgarë të ardhur nga diaspora; Berlini, Londra, Vjena. Qytetarët kërkojnë largimin e kryeministrit Boyko Borisov, në pushtet që nga viti 2009, si dhe ndëshkimin e gjithë ministrave dhe zyrtarëve të akuzuar për korrupsion. Thirrjes së qytetarëve për largimin e qeverisë iu është bashkuar presidenti i vendit, Rumen Radev, i cili ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit, si e vetmja mënyrë për të sjellë normalitetin në vend. Përplasja mes presidentit dhe qeverisë së Borisov u bë më e fortë pas publikimit në media të denoncimeve ku anëtarë të kabinetit qeveritar, aleatë politik të Borisov dhe pronarë mediash afër qeverisë rezultuan se kanë vjedhur prona publike, kanë shpërdoruar ligjet e vendit dhe kanë përfituar miliona euro të Bashkimit Europian. Publikimi në media i korrupsionit politiko-mediatik shpërtheu protestat e përditshme. Presidenti doli në krah të qytetarëve dhe kërkoi dorëheqjen e qeverisë. Si përgjigje ndaj qëndrimeve të Presidentit, Prokuroria e Përgjegjshme nuk hetoi ministrat dhe politikanët e akuzuar, por nisi sulmin ndaj presidentit të vendit dhe arrestoi dy ndihmës të kreut të shtetit bullgar. Përplasja institucionale në Bullgari ka nxjerr në pah përdorimin e prokurorisë dhe gjykatave nga qeveria si të ishin institucione në varësi të saj. Ndërkohë që në lojë kanë hyrë dhe shërbimet sekrete me shantazhe dhe me dosje të hamendësuara ndaj kundërshtarëve të qeverisë së Borisov. Protestuesit mblidhen me mijëra çdo ditë në rrugët e kryeqytetit që nga muaji korrik. Sondazhe publike tregojnë se protestat ku kërkohet largimi i qeverisë gëzojnë mbështetjen e më shumë se 70 % të popullsisë. Tubimet kanë qenë paqësore deri disa javë më parë dhe qytetarët denonconin korrupsionin dhe mafien qeveritare. Gjatë javës së fundit policia ka ndërhyrë me dhunë për të larguar protestuesit dhe për të mos lejuar ngritjen e çadrave para parlamentit. Kryeministri Boyko Borisov është mbrojtur duke deklaruar se “opozita dhe presidenti po përçajnë vendin”. Ai ka propozuar ndryshime kushtetuese për atë që e quan reformë në drejtësi. Kjo lëvizje ka nxitur dhe më tej protestat, pasi ndryshimet në kushtetutë shihen si një lëvizje politike për të mbajtur pushtetin edhe pas zgjedhjeve të ardhme.