3 perditesime
19:28

SHBA-ja dhe BE-ja e dënojnë sulmin në Nicë të Francës

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian dënuan të enjten sulmet e fundit në Francë dhe i kërkuan botës "të punojë drejt dialogut dhe mirëkuptimit midis komuniteteve dhe feve, në vend të ndarjes".

Në një deklaratë të lëshuar nga shefi i Këshillit Evropian, Charles Michel, 27 udhëheqësit, shprehën solidaritet me Francën, por nuk iu referuan polemikave rreth karikaturave të profetit Muhamed.

Tre persona kanë vdekur në një sulm me thikë në qytetin francez, Nicë, ka thënë policia. I dyshuari është ndaluar pak pas sulmit. Kryetari i Nicës, Christian Estrosi ka thënë se gjithçka çon drejt “sulmit terrorist në zemër të bazilikës Notre-Dame”. Estrosi ka thënë edhe se i dyshuari i sulmit, ka bërtitur "Allahu Akbar" (Zoti është më i madhi) edhe pasi është arrestuar nga policia, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters. Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se Franca ishte e ekspozuar ndaj një sulmi terrorist islamik. 

Sulmuesi 21-vjeçar thuhet se ka ardhur në Francë nga Tunizia muajin e kaluar. Ai kishte një dokument të Kryqit të Kuq italian të cilin e kishte marrë pasi kishte arritur në një anije të emigrantëve në ishullin italian Lampedusa disa muaj më parë. Ai u qëllua nga policia dhe është në gjendje kritike.

Ky sulm vjen derisa Franca ende po rimëkëmbet nga shoku që ka përjetuar për shkak të një sulmi tjetër, që ka ndodhur më herët gjatë këtij muaji atje.

Mësuesit, Samuel Paty, i është prerë koka në Paris nga një sulmues me origjinë çeçene. Sulmuesi i Payt ka thënë se ka dëshiruar që ta ndëshkojë mësuesin pse u ka treguar nxënësve karikaturat e Profetit Muhamed në një orë mësimore.

Karikaturat - të publikuara vite më parë nga revista satirike franceze, Charlie Hebdo, zyrat editoriale të së cilës janë sulmuar më 2015 nga sulmues që kanë lënë të vdekur 12 persona - shihen si blasfemi nga disa myslimanë.

Prej prerjes së kokës së Patyt, karikaturat janë shfaqur në disa pjesë të Francës, në shenjë solidariteti, derisa Macron, i cili është takuar me komunitetin mysliman në Francë, është zotuar se do ta luftojë “separatizmin islamist”. /REL

16:54

Paralajmërohen masa sigurie shtesë në Francë pas sulmit me thikë

Tre persona kanë vdekur në një sulm me thikë në qytetin francez, Nicë, të enjten, duke bërë që qeveria të marrë masa sigurie.

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka thënë pas sulmit se do të angazhojë ushtarë për t’i mbrojtur pikat kyçe në Francë, siç janë hapësirat për lutje dhe shkollat.

Kryeministri francez, Jean Castex ka njoftuar se Franca ka rritur alarmin e sigurisë për territorin francez në nivelin më të lartë, raporton AP. 

Ky është sulmi i tretë për dy muaj në Francë, të cilat autoritetet franceze kanë thënë se janë kryer nga ekstremistë islamik, përfshirë edhe sulmin me vrasje të një mësuesi në Paris.

Kryetari i Nicës, Christian Estrosi ka thënë se gjithçka çon drejt “sulmit terrorist në zemër të bazilikës Notre-Dame”.

Estrosi ka thënë edhe se i dyshuari i sulmit, ka bërtitur "Allahu Akbar" (Zoti është më i madhi) edhe pasi është arrestuar nga policia. Sulmuesi thuhet se është një emigrant 21-vjeçar nga Tunizia, që ishte futur në Francë nëpërmjet Italisë.

Sulmuesi është plagosur nga policia dhe është dërguar për trajtim në spital. Ai mendohet se ka vepruar i vetëm dhe policët nuk po kërkojnë për bashkësulmues të tjerë, ka thënë policia.

Zyra e prokurorit në Francë ka filluar hetimet lidhur me sulmin.

14:26

Nga Vatikani te Turqia, reagime të shumta për vrasjet në Nicë

Tre persona kanë vdekur në një sulm me thikë në qytetin francez, Nicë, ka thënë policia franceze të enjten.

I dyshuari është ndaluar pak pas sulmit.

Kryetari i Nicës, Christian Estrosi ka thënë se gjithçka çon drejt “sulmit terrorist në zemër të bazilikës Notre-Dame”.

Estrosi u ka thënë gazetarëve se i dyshuari i sulmit, ka bërtitur "Allahu Akbar" (Zoti është më i madhi) edhe pasi është arrestuar nga policia, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.

Pas ngjarjes së sotme, kanë ardhur shumë reagime.

Ministri i Brendshëm francez, Gerald Darmanin, u ka bërë apel njerëzve që të shmangin qendrën e këtij qyteti.

Ai ka thënë se do të organizojë një takim për kriza brenda ministrisë që drejton në Paris.

Një minutë heshtjeje është mbajtur në Asamblenë Kombëtare, ku kryeministri, Jean Castex ka dhënë detaje për masat e reja të izolimit, që hyjnë në fuqi të enjten në mbrëmje.

“Pa diskutim, kjo është një sfidë serioze që po godet shtetin tonë”, ka thënë ai, duke bërë thirrje për unitet dhe kohezion.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka thënë pas sulmit se Britania qëndron e palëkundur përkrah Francës, kundër terrorizmit dhe jotolerancës.

“Jam shokuar këtë mëngjes nga lajmi për këtë sulm barbar në bazilikën Notre-Dame”, ka thënë Johnson përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.

Sekretari i Jashtëm britanik, Dominic Raab, ka thënë përmes një deklarate ndaras se Britania ka ofruar “gjithë mbështetjen për popullin francez, për të mbajtur përgjegjës ata që kanë kryer sulmin”.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka dënuar të enjten sulmin, duke e quajtur “të neveritshëm dhe brutal”.

Ajo ka thënë se gjithë Evropa solidarizohet me Francën dhe vazhdon të jetë e bashkuar dhe e vendosur “përpara barbarizmit”.

Vatikani ka dënuar sulmin e së enjtes, duke thënë se terrorizmi dhe dhuna nuk kanë qenë kurrë të pranueshme.

“Sulmi i sotëm ka shkaktuar vdekje në vendin e dashurisë dhe ngushëllimit, në shtëpinë e Zotit”, ka thënë zëdhënësi, Matteo Bruni në një deklaratë.

Ai ka thënë se Papa Françesku është informuar për këtë sulm dhe është duke u lutur për viktimat.

Ministria e Jashtme turke ka thënë të enjten se dënon ashpër sulmin me thikë.

Përmes një deklarate, kjo ministri ka thënë se Turqia solidarizohet me popullin francez kundër dhunës dhe terrorizmit.

Ndërkohë nga Moska, Kremlini ka thënë se është e papranueshme vrasja e njerëzve, mirëpo po ashtu është gabim që të fyhen ndjenjat e besimtarëve fetarë.

Kremlini ka qenë duke komentuar raportimet që kanë treguar se sulmuesi ka bërtitur në gjuhën arabe, "Zoti është më i madhi".

Prokurorët francezë kundër-terrorizmit kanë nisur hetimet për vrasje.

Ministri Estrosi ka thënë se një nga të vdekurit ka qenë kujdestar në bazilikë.

Kryeministri francez, Jean Castex ka njoftuar se Franca ka rritur alarmin e sigurisë për territorin francez në nivelin më të lartë.

Çfarë dihet për sulmin? Dy nga personat e vdekur është thënë të jenë sulmuar brenda kishës, një grua në moshë dhe një burrë, i cili është gjetur me fyt të prerë.

Gruaja që ka arritur të ikë në një kafe të afërt është therur disa herë dhe ka vdekur më vonë.

Më vonë është kuptuar që një dëshmitar ka arritur ta aktivizojë alarmin përmes një sistemi special për mbrojtje, të krijuar nga qyteti.

10:35

Dy të vdekur nga sulmi me thikë në Francë, njërit i është prerë koka

Minuta më parë një sulm me thikë i ndodhur në qytetin e Nice në Francë, i ka marrë jetën 2 qytetarëve, ndërsa ka plagosur disa të tjerë.

Sipas kryebashkiakut të Nice, Christian Estrosi, agresori është arrestuar nga policia.

Mediat franceze raportojnë se njërit prej viktimave, një 70-vjeçari, i është prerë koka.

Ende nuk dihet arsyet e këtij sulmi, ndërsa vjen në një kohë kur raportet me Francës dhe vendeve myslimane janë agravuar maksimalisht pas publikimit të karikaturave të Profetit Muhammed.