1 perditesime
20:57

Një foshnjë mes katër të vdekurve në sulmin “e qëllimshëm” në Gjermani

Katër persona, në mesin e të cilëve një foshnjë nëntëmuajshe, kanë vdekur dhe më shumë se 15 të tjerë janë lënduar të martën, kur një veturë është drejtuar me shpejtësi të madhe kah një zonë për kalimtarë në qytetin perëndimor gjerman Trier, në atë që autoritetet e cilësuan si akt të qëllimshëm.

Dëshmitarët kanë thënë se kalimtarët kanë bërtitur në panik derisa disa të tjerë janë hedhur në ajër prej veturës që po kalonte me shpejtësi të lartë nëpër zonën tregtare.

Policia gjermane bëri të ditur se kanë raportuar për katër të vdekur me këtë rast, megjithëse fillimisht kishte konfirmuar vetëm dy viktima dhe më shumë se dhjetë të lënduar.

Gazeta lokale “Trierischer Volksfreund” ka shkruar se janë katër qytetarë të vdekur nga sulmi i veturës, përfshirë një fëmijë.

“E kemi arrestuar një person dhe një makinë është konfiskuar”, thuhet në njoftimin e policisë, në të cilin shtohet se i dyshuari i arrestuar është një 51-vjeçar nga rrethina e Trierit. Ai është intervistuar menjëherë nga policia.

Prokurori Peter Fritzer më vonë ka thënë në një konferencë për media se i dyshuari kishte konsumuar sasi të konsiderueshme alkooli, ndërsa autoritetet nuk janë duke punuar në pistën e dyshimit për ndonjë motiv islamik.

Ministri i Jashtëm në Rhineland-Palatinate, Roger Lewentz, ka thënë se katër persona kanë vdekur dhe katër të tjerë kanë pësuar lëndime të rënda. Ai ka thënë se shtegu i përdorur nga shoferi lë të kuptohet se ai e ka kryer këtë akt qëllimshëm.

Kryebashkiaku Wolfram Leibe ka thënë se një foshnjë nëntëmuajshe është në mesin e të vdekurve.

“E kemi arrestuar shoferin që i dha makinës në mes të turmës në qytet. E kemi një trajner dhe një vajzë të re të vdekur në vend të ngjarjes”, tha ai për transmetuesin publik SWR. “Porsa kalova nëpër qendrën e qytetit dhe ishte e tmerrshme”.

Leibe ka shtuar se ende nuk dihet motivi i incidentit.

Gjermania ka shtrënguar masat në zonat e kalimtarëve në mbarë vendin, prejse një sulm me makinë në tregun e Krishtlindjes në Berlin ua mori jetën 12 personave më 2016. Dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur.

“Trierischer Volkfreund” ka cituar një dëshmitar të ketë thënë se një “Range Rover” i zi është futur me shpejtësi të lartë midis bulevardit dhe se njerëzit janë parë duke u hedhur përpjetë prej makinës së furishme. Është raportuar se makina kishte targa të Trierit.

Është raportuar po ashtu se njerëzit kishin shpërthyer në britma nga paniku derisa po shihnin makinën midis turmës së njerëzve. Gazeta ka raportuar për një burrë dhe një grua të vdekur.

Autoritetet komunale u kanë bërë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë brenda shtëpive dhe të mos sillen kah qendra e qytetit. Policia me jelekë fluoroshentë ka dalë në vendin e ngjarjes teksa janë parë edhe policë me armë, me tyta të gjata.

Gjermania ka shtrënguar masat në luftën kundër koronavirusit, me baret dhe restorantet e mbyllura, por të hapura vazhdojnë të jenë dyqanet dhe shkollat.

“Çfarë ka ndodhur në Trier është tronditëse. Ndajmë dhimbjen me të afërmit e viktimave, me të plagosurit dhe me këdo që është në detyrë duke u marrë me viktimat”, ka deklaruar zëdhënësi i kancelares Angela Merkel, Steffen Seibert. \ Reuters

15:42

Dy të vdekur e 15 të lënduar pasi një veturë godet këmbësorët në Trier të Gjermanisë

Të paktën dy persona kanë vdekur pasi një veturë ka goditur qëllimisht disa këmbësorë në Trier të Gjermanisë.

Siç raporton Reutersi, policia të martën ka arritur edhe të arrestojë shoferin, dhe kanë njoftuar se ishte me shpejtësi të madhe.

Mediat lokale njoftojnë se 15 persona të tjerë ishin lënduar, duke cituar kryetarin e qytetit të Trierit, Wolfram Leibe.

“Kujdesi për të plagosurit është me përparësi të madhe", shkroi policia në Twitter, derisa u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin qendrën e qytetit.

Policia dhe shërbimet e emergjencës kanë bllokuar menjëherë qendrën e qytetit.