“Zhdukja” e themeluesit të “Alibaba”-s shpërfaq frikën e Kinës

Nga dita kur mbajti një fjalim kundërthënës në të cilin kërkoi reforma në sistemin financiar të Kinës – duke e krahasuar të tanishmin me logjikën e argjendarive të dyqanxhinjve – themeluesi i gjigantit të tregtisë virtuale nuk është parë në jetën publike kineze. Mësohet se një ditë pas adresimit të dy muajve më parë, Ma u mor në pyetje nga autoritetet komuniste. “Zhdukja” e tij ka ngritur shumë dyshime rreth fatit të tij
Nga dita kur mbajti një fjalim kundërthënës në të cilin kërkoi reforma në sistemin financiar të Kinës – duke e krahasuar të tanishmin me logjikën e argjendarive të dyqanxhinjve – themeluesi i gjigantit të tregtisë virtuale nuk është parë në jetën publike kineze. Mësohet se një ditë pas adresimit të dy muajve më parë, Ma u mor në pyetje nga autoritetet komuniste. “Zhdukja” e tij ka ngritur shumë dyshime rreth fatit të tij
Më 24 tetor, Jack Ma, njeriu që qëndron prapa gjigantit të tregtisë virtuale “Alibaba”, mbajti një fjalim në Shangai gjatë një samiti që u konsiderua si një prej “platformave më të mëdha, më pragmatike dhe më me ndikim në aspektin ndërkombëtar financiar”. Dhe në një takim të profilit të lartë si ky, 56-vjeçari Ma mbase ndiente se ishte koha dhe momenti për ta rrëfyer rrugëtimin e tij për ta kthyer kompaninë “Alibaba” nga një biznes me 20 persona – të nisur në banesën e tij në qytetin bregdetar Hangzhou më 1999 – në një gjigant teknologjie që qarkulloi mallra në vlerë prej 71 miliardë dollarësh amerikanë në vitin fiskal që mbaroi më 31 mars 2020.
“Kufiri” i ndaluar
Sipas një transkripti në anglishte, botuar në gazetën e Hong-Kongut “Apple Daily”, Ma, i cili personalisht ka pasuri në vlerë prej 48 miliardë dollarësh amerikanë, u tregua i matur në fjalimin e tij. E përshkroi veten “disi si një burrë i pensionuar që ndan pikëpamjet profesionale me një joprofesionist”. Madje shkoi deri në atë pikë saqë tha se mund të jetë “i papjekur, i pasaktë dhe për të qeshur”. Me kujdes të shtuar iu referua disa citateve nga presidenti i gjithëfuqishëm i Kinës, Xi Jinping. Por, derisa nisi ta ftonte audiencën – të përshkruar nga Reuters si “establishmenti i mirë dhe i mrekullueshëm i fushës politike, financiare dhe rregullative të Kinës” – që të kishte në konsideratë nevojën për reforma në sistemin financiar të vendit, me gjasë duke e kaluar kufirin.
Ai akuzoi me mirësjellje rregullatorët kinezë se po ia ndalnin frymën inovacionit dhe tha se bankat kineze pësuan prej “mendësisë së argjendarive”, duke pasur parasysh se bankat ende mbështeteshin në një sistem “të zotimeve dhe kolateralit”. Kjo nuk ishte për t’u hedhur poshtë krejtësisht, shtoi Ma.
“Në ditët e dikurshme”, shtoi Ma, “një argjendari ishte ide e avancuar. Sikur të mos ishte zbulimi i zotimeve dhe kolateralit, nuk do të kishte sot fare institucione financiare dhe ekonomia kineze nuk do të zhvillohej gjatë këtyre dyzetë vjetëve deri në këtë pikë”.
“Zhvlerësimi” i përnjëhershëm
Por, audienca elitare duket se u frustrua. Më 2 nëntor, Ma u ftua prej autoriteteve kineze për t’u marrë në pyetje. Të nesërmen, krahu financiar i “Alibabas”, “Ant Financial”, u zhvlerësua prej autoriteteve monitoruese të sigurimeve financiare të Kinës, pavarësisht se më parë i ishte dhënë drita jeshile për të vepruar. Kah fundi i dhjetorit, rregullatorët kishin instruktuar “Ant Group” të ristrukturonte operacionet e tij për t’iu përshtatur rregullave të antimonopolit, duke zhvlerësuar miliarda dollarë të vlerës së aseteve.
Pastaj, në fundjavën e kaluar, Ma u zëvendësua prej një tjetër shefi ekzekutiv të “Alibabas” për episodin e fundit televiziv të një gare të talentit sipërmarrës që e kishte orkestruar, me imazhin e tij që nuk shihej në mesin e panelistëve në juri. Tani janë bërë dy muaj prej kur themeluesi i “Alibabas” nuk është parë në jetën publike. Një zëdhënëse e kompanisë ka refuzuar të komentojë rreth vendndodhjes së tij, kur është pyetur nga revista amerikane “Time”.
Dora e hekurt e Xisë
Duke qenë një yll botëror në botën e biznesit, atij i ishte shprehur taktikisht njëfarë besueshmërie nga Partia Komuniste e Kinës, për ta projektuar një imazh modern për sipërmarrësit e vendit. Vizionet politike zyrtare, si “Made in China 2025” dhe “China Standards 2035”, që mundohen t’i shkruajnë rregullat për gjeneratën e re të teknologjisë dhe tregtisë, lexohen si kapituj të një doracaku të një burri pretendimet e “Ant Financial” të të cilit kanë më shumë se 1.3 miliardë përdorues të shërbimit të pagesave mobile “Alipay” anembanë botës.
Megjithatë, është e qartë se Partia Komuniste e Kinës nën presidentin Xi nuk do të lejojë asnjë kontestim autoriteti. Duke pasur parasysh ngadalësimin e mësymjes ekonomike, telashet gjeopolitike në ngritje të Kinës kanë bërë që Pekini të nervozohet për rreziqet financiare sistematike dhe për ngritjen e borxhit. Dhe kjo nuk është kohë kur duhet të flitet zëshëm në Kinën komuniste, sikurse bëri Ma, për shkak se sistemi po humb fuqinë absolute. Dhe, sikurse e kanë mësuar edhe më parë titanët e papërmbajtshëm të patundshmërisë, financave dhe shoubiznesit, edhe kampioni i teknologjisë së Kinës, se besnikëria vjen në rend të parë në Kinën e Xisë.
“Nuk ka të ashtuquajtur epoka Ma”, shkruante në ballinën e organit zyrtar të Partisë Komuniste të Kinës, “People Daily”, “por vetëm një epokë që e ka Manë brenda vetes”.
Thyerja e “të paprekshmit”
Ma mendohej si njeri i paprekshëm. Magnati i dashur që nuk kishte ditur as kodimin kompjuterik, kishte bërë për vete mahnitshëm kinezët me historitë e tij të refuzimit. (Kur KFC-ja kishte hapur degën e parë disa vite më parë në vendin e tij të lindjes në Hangzhou, Ma kishte thënë se ishte aplikuesi i vetëm që nuk ishte pranuar.) Megjithatë, për shkak të përkushtimit të madh për punën dhe dhuntisë për t’i nuhatur trendët e ekonomisë digjitale, ky ish-mësimdhënës i anglishtes u kthye në kinezin më të pasur. Anëtar partie që rregullisht ishte shfaqur krah liderëve më të mëdhenj të Kinës, Ma ishte kthyer në njëfarë ambasadori jozyrtar, duke u takuar me presidentin asokohe të porsazgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në janarin e vitit 2017. Ai i kishte premtuar se do të hapte miliona vende pune në SHBA.
“Jack dhe unë do të bëjmë disa punë të mrekullueshme”, do të deklaronte Trumpi pas takimit me Jack Man.
Ma kishte bërë bujë të madhe me shfaqjen e tij e me performanca nëpër koncerte rokerësh, duke u veshur edhe si Michael Jacksoni. Madje, u paraqit edhe në filma Kung-fu. Por buja e madhe është mallkim, sipas mendësisë së aparatçikëve të Kinës komuniste, dhe mbase kjo i kishte shtyrë autoritetet që ta nxisnin opinionin publik kundër tij. Mbrojtja nga Ma e kulturës së sertë të punës “996” – nga nëntë e mëngjesit deri në nëntë të mbrëmjes, gjashtë ditë në javë – bëri që shumëkush ta urrente si “gjakpirës kapitalist” dhe ta citonte Marksin si denoncim kundër tij.
I pëlqyer dhe i urryer njëherësh
“Një miliarder i jashtëzakonshëm i popullit si Jack Ma përfundimisht do të varet në shtylla ndriçimi publik”, shkruante një komentues në një postim që ishte lexuar 100 mijë herë në “WeChat” dhe ishte “pëlqyer” nga më shumë se 122 mijë anëtarë të platformës në platformën e ngjashme me “Twitterin” në Kinë, “Weibo”.
Han Fuling, profesor i Universitetit Qendror për Ekonomi dhe Financa në Pekin, shkruante se opinionet e Masë “janë të mbushura me injorancë dhe arrogancë për financat!”
Së paku zyrtarisht, Ma kishte dhënë dorëheqje nga shefi i “Alibabas” në tetor dhe i ishte përkushtuar filantropisë. Pas pandemisë së koronavirusit, fondacioni i tij kishte dërguar ndihma në 150 shtete, përfshirë edhe 500 mijë teste dhe një milion maska në Shtetet e Bashkuara, duke vlerësuar se kështu “ua zgjasim dorën amerikanëve në këto kohë të vështira”. Në mesin e projekteve të tjera ishte edhe nxitja e edukimit në Kinë dhe sipërmarrësve në mbarë Afrikën. Dhe mbase përkushtimi ndaj kauzave humanitare bëri që ai ta humbte lidhjen me rëndësinë e politikës shtetërore të Kinës. Vetëm një muaj para fjalimit të Shangait, qeveria kishte publikuar doracakun se sipërmarrjet private duhet ta ndihmojnë shtetin kinez tani “kur rreziqet dhe sfidat janë rritur theksueshëm” nga ekonomia e zgjeruar private.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.