Raportet se një grua hinduse shtatzënë ishte shtrënguar të ndahej nga bashkëshorti i saj mysliman dhe që mund të jetë detyruar të kryejë abort, kanë spikatur kundërthëniet lidhur me ligjin kundër konvertimit në Indi.
Në fillim të dhjetorit, një videoxhirim u bë viral në Indi.
Aty shihej një grup burrash, me shami të portokallta të lidhura përreth qafës, duke e gjymtuar një grua në qytezën Moradabad të shtetit verior të Pradeshit Uttarit.
“Për shkak të njerëzve si ti është dashur të miratohej ky ligj”, i bërtet njëri prej burrave.
Grupet e terrorit
Sulmuesit ishin nga Bajrang Dali, grupi konservator hindus që mbështet partinë e kryeministrit Narendra Modi, Partia Janata Baratiya (BJP).
Ligji për të cilin e kanë fjalën është ai për ndalimin e konvertimeve të paligjshme fetare, me të cilin shteti synon që të shënjestrojë “xhihadin e dashurisë” – një shprehje kjo islamofobe radikale që grupet hinduse e përdorin për t’ua ndaluar burrave myslimanë që t’ua mbushin mendjen grave hinduse për t’u konvertuar në islam nëpërmjet martesës.
Në ligjin e ri të shumëpërfolur thuhet se kushdo që dëshiron të konvertohet duhet të kërkojë aprovim prej autoriteteve vendase, duke ia dorëzuar shtetit të drejtën e qytetarëve për të vendosur se kë mund ta duash e kë mund ta zgjedhësh për partner jete
Incidenti në video ka ndodhur më 5 dhjetor. Aktivistët e Bajrang Dalit dorëzuan në polici gruan 22-vjeçare, burrin e saj dhe vëllain e tij. Policia e dorëzoi pastaj gruan në një strehimore qeveritare dhe i arrestoi burrat.
Disa ditë më vonë, gruaja, e cila ishte në javën e shtatë të shtatzënisë, tha se për shkak të abuzimeve abortoi gjatë kohës sa u mbajt në arrest.
Në mes të dhjetorit, gjykata ia lejoi që të kthehej në shtëpinë e burrit pasi që ajo i tha prokurorit se ishte e rritur dhe se ishte martuar me vetëdëshirë me burrin mysliman. Burri i saj dhe kunati po vazhdojnë të mbahen prapa grilave.
Në intervista pas lirimit të saj në të hënën e mesdhjetorit, ajo ka akuzuar personelin e strehimores për keqtrajtim. Ajo ka thënë se iu injoruan ankesat e para për dhimbje stomaku. Strehimorja i ka hedhur poshtë akuzat.
Raportet ngrenë kundërthëniet
“Kur u përkeqësua gjendja, më dërguan në spital më 11 dhjetor. Pas testit të gjakut më pranuan dhe më dhanë injeksione, pas të cilave pata gjakderdhje”. Dy ditë më vonë i ishin dhënë të tjera injeksione. Iu shtua gjakderdhja dhe iu përkeqësua gjendja shëndetësore, duke rezultuar me humbjen e foshnjës.
Pavarësisht nëse kjo qëndron apo jo, askush ende nuk e di me saktësi se çfarë ndodhi.
Mëngjesin e asaj së hëne, derisa ishte në paraburgim, autoritetet i shkatërruan raportet se kishte kryer abort. Raportet u bazuan në intervistat e zhvilluara me kunatin e saj. Shefi i Komisionit të Mbrojtjes së Fëmijëve, Vishesh Gupta, i ka hedhur poshtë të gjitha raportet për abort dhe ka vazhduar të ngulmojë se “foshnja është e sigurt”.
Një gjinekolog në spital ka thënë se në skanime “mund të shihej fetusi shtatëjavësh”.
Megjithëkëtë, mjeku ka shtuar se “vetëm testi transvagjinal mund të konfirmojë nëse bebja ishte shëndosh apo jo”.
Por, autoritetet nuk i kanë komentuar dyshimet e saj pas lirimit të gruas. As nuk ia kanë dhënë rezultatet e skanimeve, ose detajet e ilaçeve që janë përdorur dhe injektuar.
Edhe pesë ditë pas lirimit nga spitali nuk është zbardhur asnjë e dhënë e rëndësishme lidhur me shkaqet e abortit. Kjo vetëm sa ka ngritur më shumë dilema.
Kriminalizimi i dashurisë ndërfetare
Por, megjithatë, pati zemërim të madh në mediat sociale në Indi, ku ka një refuzim të vendosur për t’i pranuar martesat ndërmjet pjesëtarëve të feve të ndryshme.
Në ligjin e ri të shumëpërfolur thuhet se kushdo që dëshiron të konvertohet duhet të kërkojë aprovim prej autoriteteve vendase, duke ia dorëzuar shtetit të drejtën e qytetarëve për të vendosur se kë mund ta duash e kë mund ta zgjedhësh për partner jete.
Ndryshe mund të dënohesh me dhjetë vjet burgim nëse konsiderohet se ke kryer shkelje. Së paku katër shtete indiane të qeverisura nga BJP-ja po hartojnë ligje të ngjashme kundër “xhihadit të dashurisë”. Shpresohet se ligjet do t’i rrëzojë Gjykata Supreme.
Janë ndaluar martesat ndërmjet çifteve të besimeve të ndryshme edhe atëherë kur prindërit kanë aprovuar martesat ndërfetare. Në të shumtën e rasteve burrat myslimanë janë arrestuar dhe po përballen me drejtësinë.
Gruaja 22-vjeçare ka thënë se ishte konvertuar në islam dhe ishte martuar me burrin mysliman në korrik në Dehradun, qytet në shtetin fqinj të Uttarakhandit. Ata ishin arrestuar kur provuan që ta zyrtarizonin martesën tek autoritetet vendase në Moradabad.
“Problemi më i madh me një ligj si ky është se e trajton dashurinë ndërfetare si aktivitet kriminal”, ka thënë historiania Charu Gupta.
“Ligji refuzon gjithashtu se gruaja ka të drejtën e vullnetit të lirë. A nuk është në dorën e një gruaje të vendosë me kë dëshiron të martohet? Dhe nëse ajo dëshiron të konvertohet në një religjion tjetër, ku është problemi?”
Ajo ka thënë se “ligji ka përfshirje aq të gjerë, saqë i ndëshkon ata që janë të pafajshëm. Dhe kjo është shumë e rrezikshme”.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.