Botë

Republikanët në udhëkryq

Republikanët në udhëkryq
 

Trumpi la zyrën me 34 për qind të përkrahjes, sipas Gallupit – shifra më e ulët e presidencës së tij, por shumica e republikanëve e kanë vlerësuar me 82 për qind performancën e tij si president. Ani pse shumë prej tyre tentojnë të ecin përpara, popullariteti i Trumpit siguron se në bazën e republikanëve do të vazhdojë të jetë forcë e madhe politike

Washington, 21 janar (AP) - Për herë të parë pas më shumë se një dekadë, republikanët zgjohen në Washingtonin në të cilin demokratët kanë kontrollin e Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit, duke iu përshtatur një periudhe me fuqi të zbehur, paqartësi të thella dhe përplasje të brendshme. Kalimi në një status minoriteti është gjithmonë i vështirë. Nxit debate se kush duhet fajësuar për zgjedhjet e mëparshme. Ama, ky proces është shumë i ndërlikuar, për shkak se republikanët përballen me pyetje të thella se për çfarë qëndron partia, tani kur Donald Trumpi nuk është në krye.

Në katër vjetët e fundit, vlerat e partisë republikane ishin të lidhura nyjë me tekat e një presidenti që vazhdimisht ka minuar institucionet demokratike dhe bëri tregti me angazhimet jetëgjate të partisë për disiplinë fiskale, politikë të jashtme më të fuqishme dhe sundim të ligjit për populizëm të paqëndrueshëm. Partia tani përballet me vendimin për të shkuar në këtë drejtim, siç po kërkojnë përkrahësit besnikë të Trumpit, apo për t’i hyrë një shtegu të ri.