1 perditesime
22:58

Së paku pesë të lënduar nga të shtënat në një klinikë në Minnesota

Të paktën pesë persona janë raportuar si të lënduar nga të shtënat në një klinikë në veriperëndim të Minnesotas, kanë raportuar mediat amerikane duke i cituar burimet policore.

Të shtënat kanë ndodhur rreth orës 11, sipas kohës lokale, në klinikën “Allina” në Buffalo, ndërkaq rreth gjysmë ore më vonë është raportuar edhe për shpërthimin e një bombe afër qendrës shëndetësore.

Kelly Prestidge, zyrtare në Departamenti policor në Buffalo, ka bërë të ditur se një person është vënë në paraburgim, por nuk ka specifikuar nëse bëhet fjalë për sulmuesin.

Autoritetet kanë raportuar më vonë se përgjegjës për sulmin është një banor lokal 67-vjeçar, i njohur mirë për autoritetet e zbatimit të ligjit. Sulmuesi i pretenduar është identifikuar si Gregory Paul Ulrich, nga Buffalo. Ai raportohet të ishte arrestuar dhe dënuar disa herë për ngasje në gjendje të dehur dhe për posedim të sasive të vogla të narkotikëve nga viti 2004 deri më 2014.

Shefi i policisë në Buffalo, Pat Budke, ka thënë se sulmi nuk duket të është instancë e terrorizmit të brendshëm, por nuk ka elaboruar më tutje. Budke ka shtuar se sulmi ka ndodhur brenda klinikës dhe se situata shumë shpejt është vënë nën kontroll. Porse motivi i sulmit ende nuk është konstatuar.

Ndërkaq, zëdhënësi i FBI-së, Kevin Smith, ka thënë se një ekip i çaktivizimit të bombave është dërguar në vendin e ngjarjes, por nuk ka mundur t’i konfirmojë raportet e mediave lidhur me ndonjë bombë të mundshme apo shpërthim në klinikë. Autoritetet kanë filluar menjëherë hetimet për rastin, pa ofruar hollësi të mëtutjeshme.

20:23

Sulm me armë në një qendër shëndetësore në Minnesota, raportohet për të lënduar

Disa persona janë lënduar pas një sulmi në një qendër shëndetësore në Minnesota të SHBA-së gjatë së martës.

Të shtënat u shkaktuan në klinikën Allina, në një qytet me rreth 15.000 qytetarë.

Policia njoftoi se një person është dërguar në paraburgim ndërsa nuk ka dhënë më tepër të dhëna për ndonjë të vdekur.

Të lënduarit janë dërguar në spitalin e Robbinsdale ndërsa nuk është dhënë ndonjë detaj për gjendjen e tyre. Policia është duke kryer hetimet, derisa janë angazhuar edhe dy helikopterë për të vrojtuar nga lart.