1 perditesime
21:09

“Gabimi është i imi”: Kthesa e Merkelit në planin për izolim

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka hedhur një hap prapa në planin e saj të izolimit të ashpër pesëditor për Pashkët, me qëllim të frenimit të valës së tretë të përhapjes së koronavirusit, vetëm një ditë pasi që vendimi i saj i ngutshëm ka nxitur reagime të ashpra.

Në bisedimet që zgjatën deri në orët e vona të së martës, Merkeli dhe udhëheqësit e 16 shteteve të Gjermanisë janë pajtuar që t’i shtrëngojnë qytetarët për të qëndruar brenda shtëpive për periudhën pesëditore të Pashkëve, duke i shpallur 1 dhe 3 prillin si “ditë shtesë pushimi, para festës së 4 prillit.

Masa parashihte që të gjitha dyqanet, përfshirë ato esenciale, të mbylleshin për një ditë më shumë. Kësisoj do të zbatohej mbyllje pesëditore e jetës publike përpos kufizimeve veçse ekzistuese, të cilat janë zgjatur deri më 18 prill. Ky plan është kritikuar ashpër, teksa bizneset kanë kundërshtuar izolimet shtesë, ndërsa ekspertët shëndetësorë kanë thënë se masat e reja nuk ishin mjaftueshëm të serta për ta parandaluar përhapjen eksponenciale të varianteve më bartëse të koronavirusit.

Duke u zmbrapsur nga vendimi të mërkurën, Merkel ka thënë se ideja është “hartuar me synimet më të mira”, porse përfundimisht është dëshmuar si “e gabuar” dhe ka kërkuar falje për ngatërresën që ka shkaktuar mes qytetarëve.

“Ka pasur arsye të mira për këtë, por nuk mund të zbatohet si duhet në këtë periudhë kohore”, ka thënë ajo para gazetarëve. “Ky gabim është vetëm i imi”.

Kthesa e Merkelit ka ndodhur në kohën kur numri i të infektuarve në Gjermani ka shënuar rritje të sërishme, ndikuar nga varianti më përhapës i virusit që është identifikuar në Mbretërinë e Bashkuar në fund të vitit të kaluar dhe është bërë dominues në vend. Gjermania, me popullatë prej 83 milionë banorësh, ka raportuar të mërkurën edhe 15.813 raste të reja të infektimit. Një javë më parë janë konfirmuar 13.435 raste të reja.

Bilanci i përgjithshëm i të vdekurve nga COVID-19 është rritur në 75.212, me 248 fatalitetet e së mërkurës.

Megjithëkëtë, Merkel është shprehur “e bindur” se Gjermania do të mund ta frenojë virusin, por ka paralajmëruar se vendi ka urgjentisht nevojë “që ta ndalë dhe zmbrapsë valën e tretë të pandemisë”.

“Shtegu që kemi përpara është i vështirë dhe gjembor, dhe është i shënuar nga sukseset, mirëpo edhe nga gabimet dhe zmbrapsjet”, ka thënë ajo. “Por virusi dalëngadalë ama sigurt do të bëhet më pak i frikshëm”.

Komentet e saj janë bërë në sfondin e zemërimit të shtuar të publikut me qeverinë konservatore të Merkelit lidhur me vaksinimin e ngadaltë dhe zgjatjen e masave të kufizimit. Një sondazh i publikuar të mërkurën ka treguar se mbështetja për partinë Kristiandemokrate të Merkelit ka prekur nivelin më të ulët në më shumë se një vit, në prag të zgjedhjeve kombëtare të shtatorit.

17:48

Merkeli anulon planin për mbyllje totale gjatë Pashkëve, u kërkon falje qytetarëve

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka anuluar planet për mbyllje totale gjatë Pashkëve, vetëm një ditë pasi ishin bërë të ditura këto masa.

Plani për mbyllje të vendit ishte një marrëveshje mes Merkelit dhe liderëve rajonalë gjatë bisedave që patën të hënën, duke vendosur për masa prej 1 deri më 5 prill, raporton BBC, transmeton Koha.net. Ky plan ishte kritikuar shumë nga udhëheqës biznesesh dhe shkencëtarët të mërkurën. Sipas tij, parashihej që të mbylleshin lokalet, njerëzit të qëndronin nëpër shtëpi dhe të reduktohej kontakti social.

Kryetari i partisë CDU, Armin Laschet ka deklaruar se mbyllja nuk do të zbatohet në formën që është paraparë.

Ndërkaq vetë Merkeli ka kërkuar falje duke thënë se ishte ngutur lidhur me këtë vendim.

“Ky është vetëm gabim i imi. I gjithë procesi ka shkaktuar pasiguri shtesë, për të cilën unë kërkoj nga të gjithë qytetarët të më falin”, është shprehur Merkel lidhur me paralajmërimin për mbyllje.