1 perditesime
22:37

Një polic dhe i dyshuari mbesin të vdekur në sulmin me veturë në Capitol

Një zyrtar i policisë në Capitol ka mbetur i vdekur të premten, pasi që një burrë ka përplasur veturën e tij në drejtim të dy policëve që po patrullon përpara barrikadave të vendosura jashtë ndërtesës së Kongresit në Washington dhe pastaj është kërcënuar me thikë.

Ishte ky rasti i dytë i vdekjes së policëve në detyrë gjatë vitit, në kohën kur Departamenti policor po e vazhdon praninë përreth godinës pas kryengritjes së 6 janarit.

Videoxhirimet nga vendi i ngjarjes kanë shfaqur pamjet e shoferit të veturës së përplasur tek kërcënohet me thikë në dorë dhe fillon që të vrapojë në drejtim të policëve, ka bërë të ditur ushtruesja e detyrës së shefes së policisë në Capitol, Yogananda Pittman, duke folur para gazetarëve. Shoferi ka arritur që ta therë me thikë njërin prej policëve, ka shtuar ajo. Autoritetet e rendit më pas e kanë qëlluar të dyshuarin, i cili ka vdekur në spital.

“Kjo ka qenë një periudhë shumë e vështirë për policinë e Capitolit, pasi që është përballur me ngjarjet e 6 janarit dhe tani me këtë që ka ndodhur sot”, ka thënë Pittman.

Ajo nuk ka zbardhur identitetet as të policit të vrarë dhe as të sulmuesit. Autoritetet kanë bërë të ditur se tanimë nuk ekziston ndonjë kërcënim i vazhdueshëm dhe se sulmi nuk duket të jetë i ndërlidhur me terrorizmin, ani pse Capitoli është mbyllur si masë parandaluese. Ndërkaq, kanë njoftuar se rasti i së premtes nuk besohet deri më tani të ketë ndonjë ndërlidhje as me ngjarjet e 6 janarit.

Përplasja e veturës dhe të shtënat kanë ndodhur në një pikëkontroll sigurie në afërsi të Capitolit, që rëndom përdoret për kalimin e senatorëve dhe të stafit gjatë ditëve të javës. Sulmi ka ngjarë rreth 90 metra larg hyrjes në ndërtesën e Senatit, në Capitol.

Incidenti është shënuar në kohën kur rajoni i Washingtonit vazhdon të jetë nën masa të shtuara të sigurisë, afro tre muaj pasi që një turmë e armatosur e mbështetësve besnikë të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, është futur dhunshëm në ndërtesën e Kongresit për ta penguar procesin e certifikimit të fitores së Joe Bidenit në zgjedhjet e 3 nëntorit të vitit të shkuar.

Pesë persona kishin mbetur të vdekur në trazirat e 6 janarit, përfshirë policin e Capitolit, Brian Sicknick.

Që atëherë, autoritetet kanë instaluar një gardh mbrojtës përreth Capitolit dhe për muaj me radhë është kufizuar trafiku në rrugët afër ndërtesës, por gjatë javëve të fundit masat kanë filluar të zbuten.

Pittman ka thënë se i dyshuari nuk ka qenë më herët në radarin policisë. Por sulmi i së premtes nënvizon se ndërtesa dhe godinat përreth vazhdojnë të jenë caqe potenciale të dhunës.

Polici, i cili ka vdekur të premten, është pjesëtari i shtatë i policisë së Capitolit që ka vdekur gjatë kryerjes së detyrës, përgjatë gjithë historisë së Departamentit. Dy policë, njëri nga radhët e policisë së Capitoli dhe një tjetër nga Departamenti i Policisë Metropolitane në Washington, ka kryer vetëvrasje pas sulmit të 6 janarit.

I dyshuari për ngjarjen e së premtes është dërguar në spital në gjendje kritike. Njëri nga policët, i cili ka pësuar lëndime, është dërguar në spital me veturë policore ndërsa tjetri nga ekipet e mjekësisë emergjente.

Godina e Capitolit është mbyllur pas rastit ndërkaq pjesëtarëve të stafit u është ndaluar hyrja apo dalja nga ndërtesa.

Presidenti Joe Biden, porsa ishte larguar nga Shtëpia e Bardhë drejt Camp Davidit, në momentin e sulmit.

19:42

Mbyllet Capitoli shkaku i një “kërcënimi të jashtëm të sigurisë”

Ndërtesa e Kongresit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është mbyllur të premten pasdite, si pasojë e një kërcënimi të paspecifikuar të sigurisë, kanë bërë të ditur mediat amerikane.

Në një mesazh dërguar stafit të Kongresit, zyrtarët kanë paralajmëruar për “një kërcënim të jashtëm të sigurisë”, kanë raportuar “CBS News” dhe “NBC News”, të cilat kanë siguruar nga një kopje të deklaratës.

Policia në Capitol ka alarmuar stafin, duke bërë të ditur se një I dyshuar është marrë në mbajtje, pas raporteve se “dikush ka përplasur një automjet” drejt dy policëve.