1 perditesime
13:41

Izraeli zotohet të punojë me SHBA-në mbi marrëveshjen bërthamore me Iranin

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Benny Gantz, u zotua të dielën se do të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara për Iranin, duke shprehur shpresë se siguria izraelite do të mbrohet nën çdo marrëveshje të ripërtërirë bërthamore iraniane që Uashingtoni arrin.

"Izraeli i sheh Shtetet e Bashkuara si një partner të plotë në të gjithë teatrot operative, jo më pak për Iranin", ka thënë Gantz pasi priti në vizitë sekretarin e Mbrojtjes të SHBA-së, Lloyd Austin.

"Dhe ne do të punojmë ngushtë me aleatët tanë amerikanë për të siguruar që çdo marrëveshje e re me Iranin do të sigurojë interesat jetike të botës dhe Shteteve të Bashkuara, për të parandaluar një garë të rrezikshme armësh në rajonin tonë dhe për të mbrojtur shtetin e Izraelit", vijoi ai.

Austin, që është duke bërë vizitën e parë në Izrael nga një zyrtar i lartë i administratës së presidentit Joe Biden, i ka thënë homologut të tij se Uashingtoni e sheh aleancën me Izraelin si qendrore për sigurinë rajonale.

Vizita e Austinit përfshin bisedime me kryeministrin Benjamin Netanyahu, i cili është i shqetësuar për dëshirën e administratës demokratike që SHBA-ja të rikthehet në marrëveshjen bërthamore të Iranit në vitin 2015 me fuqitë e mëdha, marrëveshje e cila u braktis nga ish-presidenti Donald Trump.

10:48

Sekretari amerikan i Mbrojtjes arrin në Izrael, vizita e parë nga administrata e Bidenit në këtë shtet

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin ka arritur në Izrael të dielën, që shënon edhe vizitën e parë të një përfaqësuesi të administratës së Bidenit, qëndrimi i të cilit ndaj Iranit ka shqetësuar qeverinë e kryeministrit Benjamin Netanyahu.

Austin do të takohet me kryeministrin Netanyahu dhe ministrin e Mbrojtes, Benny Gantz gjatë vizitës së tij dy-ditore, ndërkohë që diskutimet kryesore mes tyre do të jenë rreth furnizimit të Izraelit me armëve nga SHBA-ja.

Uashingtoni është përpjekur të sigurojë Izraelin në çështjet e sigurisë rajonale ndërsa rifillon bisedimet, deri më tani indirekte dhe jo përfundimtare, në lidhje me një kthim të SHBA-së në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 midis fuqive të mëdha dhe Iranit, të cilës ish-presidenti Trump i kishte dhënë fund.