3 perditesime
18:12

Hamasi sulmon Izraelin, pas përleshjeve afër xhamisë “Al-Aqsa”

Hamasi ka shkrepur raketa në drejtim të Izraelit të hënën, duke nxitur aktivizimin e alarmit në Jerusalem dhe në afërsi të kufirit të Gazës, si kundërvënie e dukshme nga grupi militant pas lëndimit të më shumë se 300 palestinezëve në përleshje me policinë izraelite në afërsi të xhamisë “Al-Aksa”.

Hamasi, grup militant islamik që kontrollon Rripin e Gazës, i kishte dhënë Izraelit ultimatum për të tërhequr trupat nga “Al-Aksa” dhe nga një pikë tjetër e nxehtë në Jerusalem, deri në orën gjashtë.

Disa minuta pas skadimit të ultimatumit janë aktivizuar sirenat në Jerusalem dhe janë dëgjuar shumë eksplodime. Hamasi ka marrë përgjegjësinë dhe nuk ka pasur raporte për viktima ose dëme.

Krejt këto zhvillime kanë ardhur pasi protestuesit palestinezë kanë hedhur gurë dhe policia ka hedhur granata shtanguese dhe plumba gome në përleshje jashtë xhamisë “Al-Aksa” në Jerusalem, në ditën kur Izraeli ka shënuar përvjetorin e marrjes së kontrollit të qytetit në luftën arabo-izraelite të vitit 1967.

“Al-Aksa”, vendi i tretë më i shenjtë islamik, ka qenë pikë qendrore e dhunës në Jerusalem gjatë gjithë muajit të shenjtë të Ramazanit.

Irani i ka bërë thirrje të hënën botës myslimane për t’iu kundërvënë “ashpërsisë” dhe “brutalitetit” të Izraelit kundër palestinezëve pas përshkallëzimit të përleshjeve ndërmjet policisë izraelite dhe protestuesve palestinezë. Ministria e Jashtme e Iranit ka shprehur “solidaritet me popullin e shtypur të Palestinës”.

13:54

Mbi 300 të plagosur nga përplasjet mes palestinezëve dhe forcave izraelite

Të paktën 305 njerëz janë plagosur gjatë përplasjeve mes palestinezëve dhe forcave izraelite në xhaminë Al Aqsa dhe zonave përreth në Jerusalemin Lindor, ka thënë Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze.

Rreth 228 janë transferuar në tre spitale në Jerusalemin Lindor dhe shtatë janë në gjendje kritike.

Sipas radios së ushtrisë izraelite, 21 forca izraelite u plagosën.

10:51

Hospitalizohen 80 palestinezë pas përleshjeve me Policinë

Rreth 80 persona palestinezë janë shtrirë në spital pas përleshjeve me Policinë në Jerusalem, pranë Xhamisë Al-Aqsa.

Shumica prej tyre kanë mbetur të lënduar në xhaminë Al-Aqsa ku policia izraelite ka gjuajtur me plumba gome, derisa palestinezët gjuanin gurë dhe shishe në drejtim të tyre.

Policia tha se palestinezët ekstremistë qëndrojnë pas dhunës së krijuar dhe se “nuk do të lejojnë që ekstremistët të dëmtojnë sigurinë publike”.

Përplasjet ndodhën së fundmi afër vendit të shenjtë të myslimanëve pas ngritjes së tensioneve lidhur me konfliktin e vjetër mes palestinezëve dhe izraelitëve.

09:31

50 palestinezë të hospitalizuar në përleshjet në Jerusalem

Së paku 50 palestinezë janë hospitalizuar pas lëndimeve që kanë marrë në përleshjet me Policinë e Izraelit në Jerusalem, raportojnë autoritetet mjekësore palestineze, raporton agjencia AP.

Policia ka përdorur gazlotsjellës ndër të tjera në xhaminë Al-Aqsa. Policia izraelite ka thënë se palestinezët kanë gjuajtur gurë, karrige dhe objekte tjera në drejtim të tyre.

Në xhirime shihet duke përdorur Policia gazlotsjellës brenda xhamisë Al-Aqsa, gjatë përleshjeve mes zyrtarëve policorë dhe palestinezëve.