Botë

BE-ja pajtohet rreth certifikatave të vaksinimit për udhëtime

Foto: Ilustrim
 

Bashkimi Evropian të mërkurën ka përkrahur certifikatat e reja të udhëtimeve që do ta mundësojnë lëvizjen e lirë të njerëzve nëpër Evropë, duke i shmangur karantinimet dhe testimet shtesë për COVID-19.

Certifikatat e shumëpritura kanë për qëllim ringjalljen e industrisë së udhëtimeve dhe të turizmit në Evropën e goditur rëndë nga pandemia. Destinacionet turistike si Greqia kanë bërë fushata aktive për miratimin e një certifikate që do të lëshohej në formë letre apo digjitale. Sipas vendimit të fundit, certifikatat do të njihen që nga 1 korriku nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Në këto certifikata do të përfshihen të dhënat individuale mbi vaksinimin apo shërimin nga sëmundja. Certifikatat do të lëshohen nga shtetet individuale dhe jo nëpërmjet një sistemi unik evropian. Të dhënat personale nuk do të ndahen me shtetet e tjera. Disa vende evropiane si Bullgaria, Kroacia, Republika Çeke, Danimarka, Gjermania dhe Greqia veç kanë nisur prezantimin e këtyre certifikatave.