Rusia është duke u përgatitur për të shtënë në drejtim të anijeve ushtarake që futen në territorin e saj, ka thënë një diplomat i lartë rus të enjten. Paralajmërimi vjen pas incidentit në Detin e Zi ku një anije ushtarake britanike kaloi në afërsi të Krimesë, në zonën që Rusia thotë se janë ujërat territorial të saj.
Rusia ka treguar se një nga anijet e saja ushtarake ka shtënë në paralajmërim dhe po ashtu një aeroplan luftarak ka gjuajtur bombë afër Defenderit britanik të mërkurën, për ta paralajmëruae që të largohet nga zona në afërsi të Sevastopolit.
Britania ka mohuar këtë, ka insistuar se nuk është shtënë në drejtim të anijes së saj dhe se po lundronte në afërsi të ujërave ukrainas.
Është hera e parë që nga Lufta e Ftohtë që Moska ka pranuar se ka përdorur projektilë të vërtetë për të paralajmëruar një anije luftarake të NATO-s, duke dëshmuar kështu për rrezikun për një përplasje luftarake pas rritjes së tensioneve mes Rusisë dhe Perëndimit.
Zv.ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Ryabkov ka kritikuar, duke thënë se do të mbrohen kufijtë rusë në mënyrë absolute.
Ai ka thënë se marina britanike duhet t’ia ndërrojë emrin anijes në vend të Defender ta lë “Aggressor” dhe ka paralajmëruar.
“Ata që po tentojnë të testojnë forcën tonë po marrin rreziqe të mëdha”, ka thënë Ryabkov.
I pyetur nëse Rusia do të parandalojë veprime të tilla në të ardhmen, Ryabkov ka thënë se Rusia do të jetë e gatshme për të bombarduar anijet luftarake nëse nuk funksionon paralajmërimi.
“Ne mund të apelojmë për arsye dhe të kërkojmë të respektohet e drejta ndërkombëtare. Nëse nuk funksionojnë, mund të hedhim bomba dhe jo vetëm në rrugën por direkt në shënjestër”, ka thënë Ryabkov për Interfax.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.