1 perditesime
15:40

Shembja e ndërtesës në Miami, 9 milionë dollarë riparime ishin kërkuar para 3 vjetëve

Afërsisht tri vjet para se të ndodhte shembja e ndërtesës në Miami te Floridës, një firmë inxhinierike kishte vlerësuar se ndërtesës i nevojiten riparime të mëdha të cilat do të kushtonin deri në 9 milionë dollarë.

Një email i lëshuar nga firma konsulente Morabito ishte në mesin e një serie të dokumenteve të lëshuara nga qyteti i surfit, derisa ekipet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë të kërkojnë nën gërmadhat e ndërtesës për të gjetur të mbijetuar të mundshëm.

Deri më tani ekipet kanë nxjerrë pesë trupa të pajetë deri sa ende nuk dihet për fatin e më shumë se 150 personave që vlerësohet se kanë qenë në ndërtesë momentin e shembjes.

Shembja e një pjese të ndërtesës ka ndodhur të enjten në orët e hershme të mëngjesit derisa banorët ishin duke fjetur.

Ndërkohë, ende nuk dihen shkaqet që kanë quar në shembjen e ndërtesës.

08:17

Gjendet trupi i pestë i pajetë nga shembja e ndërtesës në Miami

Numri i të vdekurve si pasojë e shembjes së një ndërtese në Miami të Floridas, në SHBA, ka shkuar në pesë.

Autoritetet vendore kanë bërë të ditur se është gjetur edhe trupi i pestë nën gërmadhat e ndërtesës derisa ende nuk dihet për fatin e qindra personave të tjera që ndodheshin brenda saj në momentin e shembjes.

Sipas tyre, aktualisht numri i të zhdukurve është 156.

“Prioriteti ynë vazhdon të mbetet kërkimi dhe shpëtimi i jetëve aq sa mundemi”, ka thënë kryetarja e bashkisë së Miamit, Daniella Levine Cava.

Një pjesë e ndërtesës është shembur mëngjesin e së enjtes që shkoi, derisa shumë banorë në ato momente ishin duke fjetur.

Deri më tani, shkaku i shembjes ka mbetur i paqartë. Mirëpo, një raport i një inxhinieri të ndërtimit, i vitit 2018, mirëpo i publikuar tek të shtunën e kaluar, thekson “gabimet e mëdha” që janë bërë në dizajnim të disa prej ndërtesave që ndodhen në bregdetin e Miamit.