Trumpi në rrezik financiar e politik shkaku i padisë së mundshme penale
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, mund të përballet me një goditje të rëndë financiare dhe politike, pasi që prokurorët shtetërorë po e shqyrtojnë ngritjen e një padie penale ndaj biznesit të tij familjar.
Prokurorët në New York mund së shpejti të ngrenë padi kundër Organizatës Trump, lidhur me taksat në mallrat e luksit që u ka ofruar punonjësve kryesorë, duke përfshirë përdorimin e apartamenteve, veturave dhe bursat për shkollim. Presidenti i 45-të amerikan nuk do të përballet me padi, porse drama ligjore mund ta falimentojë kompaninë e tij, duke ia dëmtuar raportet me bankat dhe partnerët, si dhe do ta mjegullojë përpjekjen e tij për rikthim në politikë.
Avokati i Organizatës Trump u ka kërkuar prokurorëve javën e shkuar që të mos ngrenë padi ndaj kompanisë. Porse hetimet e kamotshme të nisura nga prokurori i Qarkut në Manhattan u iniciuan pasi që ish-avokati i Trumpit, Michael Cohen, u ofroi para dy grave që e akuzonin klientin e tij për ngacmim seksual, në prag të zgjedhjeve presidenciale të 2016-s. Vetë Trumpi i mohon të gjitha akuzat.