Organizata Trump dhe zyrtari kryesor financiar i saj, Allen Weisselberg, janë ngarkuar me fajësinë për “sistemin gjithëpërfshirës dhe të pacipë të pagesave të paligjshme” në krimet e ndërlidhura me taksat, me rastin e ngritjes së padisë së parë kriminale ndaj kompanisë së ish-presidentit, pas hetimeve shumëvjeçare nga prokurorët në New York.
Weisselberg, i cili ka punuar për familjen Trump për afro 50 vjet, u është dorëzuar autoriteteve të drejtësisë në Manhattan gjatë së enjtes dhe është paditur nga prokurori i qarkut për dështimin që t’i raportojë saktësisht përfitimet e ofruara nga kompania, përfshirë banesat pa qira, mbulimin e shpenzimeve për shkollim dhe veturat, në fazën e fundit të betejës së përshkallëzuar midis prokurorëve të New Yorkut dhe ish-presidentit.
Gazetarët dhe kameramanët janë mbledhur para gjykatores në 100 Centre Street, në pritje të gjykimit. Aktakuza prej 15 pikash kundër Weisselbergut përfshin akuzat për vjedhje të majme, mashtrime kriminale me taksat dhe falsifikimin e të dhënave të biznesit. Organizata Trump është paditur për skemën e mashtrimit.
Sipas prokurorëve, Organizata Trump ua ka paguar punëtorëve qiratë, faturat e shërbimeve, faturat për garazh, shpenzimet e shkollimit si dhe shpenzimet e tjera të jetesës pa i deklaruar si duhet ato, “në mënyrë që të mundeshin dhe mundën t’i paguanin taksat federale, shtetërore dhe lokale në shuma që ishin larg më të ulëta sesa shumat që do të duhej të paguheshin”.
Carey Dunne, këshilltar i përgjithshëm në Prokurorinë e Manhattanit, ka thënë se aranzhimi 15-vjeçar përkonte me një “skemë gjithëpërfshirëse dhe të pacipë të pagesave të paligjshme”.
“Skema ishte orkestruar nga zyrtarët më të lartë ekzekutivë në Organizatën Trump”, kanë thënë prokurorët, duke shtuar se Weisselbergu ishte “njëri prej përfituesve më të mëdhenj individualë” të skemës. Sipas prokurorëve, ai ka marrë 1.75 milionë dollarë pagesa të paligjshme, përfshirë qiranë, faturat dhe shpenzimet e garazhit për banesën e tij në Manhattan, si dhe shpenzime të shkollimit për familjarët.
Weisselberg dhe një avokat i Organizatës Trump janë deklaruar të pafajshëm.
“Kjo nuk është drejtësi; është politikë”, ka bërë të ditur organizata në një deklaratë. “Weisselbergu është bashkëshort i përkushtuar, baba dhe gjysh”, i cili “është përdorur nga prokurori i Manhattanit si karrem në përpjekjen për t’i shkaktuar dëm ish-presidentit”, thuhej në deklaratë.
Përderisa kurrfarë padie nuk është ngritur personalisht ndaj Trumpit, veprimi paraqet një pikë të jashtëzakonshme kthese për ish-presidentin dhe të tjerat pritet që të pasojnë. Prokurorët në New York janë ende duke i hetuar pretendimet për “paratë e paligjshme” paguar një gruaje, për të cilën ata thonë se ka pasur marrëdhënie seksuale me Trumpin, si dhe për pretendimet rreth manipulimeve me çmimet e patundshmërive.
Akuzat përbëjnë një goditje të rëndë për Organizatën Trump, e cila tani mund të gjendet në vështirësi edhe më të mëdha për të gjeneruar para. Përbëjnë sfidë edhe për ambiciet e qarta politike të Trumpit. Ish-presidenti ka nisur një varg tubimesh të stilit të fushatave dhe ka kthyer sytë kah një mandat tjetër presidencial më 2024.
Lidhur me Weisselbergun, ish-avokati i Trumpit, Michael Cohen, kishte dëshmuar para Kongresit më 2019 se ai ka ndihmuar në orkestrimin e mbulimit të pagesës prej 130.000 dollarësh ofruar aktores së filmave për të rritur, Stormy Daniels, e cila ka pretenduar të ketë pasur marrëdhënie intime me Trumpin. Coheni ka dëshmuar gjithashtu se ai dhe Weisselbergu kanë sajuar vlerësimet false të patundshmërive të Trumpit për t’ua ulur vlerën për qëllime tatimore.
Përkitazi me këto akuza, Trumpi ka folur në Fox News të mërkurën.
“Prokurorët e së majtës radikale në New York po më vihen pas”, ka thënë ai. “Duhet të luftoni përherë. Duhet të vazhdoni të luftoni”.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.