Trumpi në bisedë me ish-shefin e stafit: “Hitleri bëri shumë gjëra të mira”

Gjatë një vizite në Evropë për shënimin e 100-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, ish-presidenti amerikan, Donald Trump, kishte insistuar gjatë një bisede me shefin e dikurshëm të stafit të tij, John Kelly: “E po mirë, Hitleri kishte bërë shumë gjëra të mira”.
Gazetari Michael Bender në librin e tij “Frankly, We Did Win This Election” shkruan se ish-shefi i stafit të Donald Trumpit, gjenerali John Kelly, i kishte thënë presidentit të mëparshëm se edhe nëse pretendimet e tij lidhur me suksesin e ekonomisë gjermane nën nazizmin, për të cilin ai e lavdëronte Hitlerin, ishin të vërteta, “ju kurrë nuk duhet të thoni ndonjë gjë mbështetëse për Adolf Hitlerin. Thjesht, nuk duheni”
Gjatë një vizite në Evropë për shënimin e 100-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, ish-presidenti amerikan, Donald Trump, kishte insistuar gjatë një bisede me shefin e dikurshëm të stafit të tij, John Kelly: “E po mirë, Hitleri kishte bërë shumë gjëra të mira”.
Ky vlerësim nga shefi i mëparshëm i Shtëpisë së Bardhë gjatë udhëtimit të 2018-s, i cili raportohet se kishte “shokuar” Kellyn, një gjeneral i pensionuar i flotës detare të SHBA-së shpaloset në një libër të ri të Michael Benderit, gazetarit të “Wall Street Journal”.
Libri “Frankly, We Did Win This Election” është shpërndarë gjerësisht qysh para botimit të tij javën e ardhshme. E përditshmja britanike “The Guardian” ka siguruar një kopje dhe ka botuar fragmente të saj.
“Benderi raporton se Trumpi e ka bërë këtë vlerësim gjatë një ore të improvizuar të historisë në të cilën Kelly e rikujtoi presidentin se cilat shtete ishin në cilën anë të atij konflikti dhe ia bashkonte pikat nga Lufta e Parë dhe ajo e Dytë Botërore, si dhe të gjitha krimet e Hitlerit”, ka shkruar “Guardian”, duke cituar pjesë nga libri.
Bender është njëri prej një sërë gazetarësh që kanë intervistuar Trumpin qëkur ai ka përfunduar mandatin presidencial. Porse pretendimet e librit të tij janë hedhur poshtë nga zëdhënësja e ish-presidentit.
“Kjo është plotësisht e pavërtetë. Presidenti Trump kurrë nuk e ka thënë një gjë të tillë. Është lajm i rremë i shpikur, mbase nga një gjeneral që ishte jokompetent dhe ishte shkarkuar”, ka theksuar Liz Harrington.
Por Benderi shkruan se disa burime anonime kanë raportuar se Kelly “i kishte thënë presidentit që e kishte gabim, porse Trumpi ishte i palëkundur”, duke e përmendur rimëkëmbjen ekonomike të Gjermanisë nën Hitlerin gjatë viteve ’30.
“Kelly i kundërpërgjigjet sërish”, shkruan Bender, “dhe argumenton se populli gjerman më shumë do të dëshironte të ishte i varfër sesa t’i nënshtrohej gjenocidit nazist”.
Në librin e tij, shkruan “Guardian”, Bender shton se Kelly i kishte thënë Trumpit se edhe nëse pretendimet e tij për ekonominë gjermane nën nazizmin ishin të vërteta, “ju kurrë nuk duhet të thoni ndonjë gjë mbështetëse për Adolf Hitlerin. Thjesht nuk duheni”.
Trumpi kishte hasur në telashe të konsiderueshme gjatë udhëtimit në Evropë, madje përtej konflikteve të tija të zakonshme me liderët e tjerë botërorë. Vendimi i tij për ta anuluar vizitën tek një varrezë amerikane doli të ishte kundërthënëse. Më vonë u raportua se Trumpi i kishte quajtur ushtarët amerikanë që vdiqën në luftë si “dështakë” dhe “të shpifur”.
Kelly, i biri i të cilit ishte vrarë në Afganistan më 2010, u largua nga Shtëpia e Bardhë në fillim të 2019-s. Që atëherë ai është shprehur kritik ndaj Trumpit, teksa “Guardian” raporton se madje u kishte thënë miqve të tij se presidenti së cilit i ka shërbyer ishte “personi më me të meta që kisha takuar ndonjëherë në jetë”.
Bander shkruan, për më tepër, se Kelly kishte bërë çmos për ta mbuluar “shpërfilljen tensionuese të historisë” nga Trumpi.
Libri i gazetarit shpalos edhe faktin se Trumpi kishte bërë vlerësime pozitive për të djathtën ekstreme dhe për grupet e supremacisë së bardhë.
“Guardian” kujton se gjatë një debati presidencial më 2020, Trumpi ishte pyetur nëse do t’i denonconte supremacistët e bardhë dhe grupet militante.
“Ai pati telashe për të gjetur përgjigje dhe në fund të fundit i kishte thënë grupit të së djathtës ekstreme ‘Proud Boys’ që të ‘rrinte anash dhe në gatishmëri’”, shkruan gazeta britanike.
Më 2017, pas një marshimi neonazist në Virginia, që gjeneroi vlerësime mbështetëse nga Trumpi, revista gjermane “Stern” përdori në ballinën e saj një ilustrim të Trumpit tek e bën përshëndetjen naziste i mbërthyer në flamurin amerikan. Titulli i shkrimit të ballinës, kujton “Guardian”, ishte: “Sein Kampf” (Lufta e tij), në një aludim në librin e Hitlerit “Mein Kampf” (Lufta ime).
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.