1 perditesime
13:52

Shkon në tre numri i të vdekurve nga përplasja e trenave në Çeki

Një përplasje mes trenave në kufirin mes Republikës Çeke dhe Gjermanisë ka lënë të vdekur së paku tre persona dhe janë lënduar dhjetëra tjerë, njofton BBC.

Sipas ministrit të Transportit të Çekisë, një tren i shpejtë nga Munihu që po shkonte në drejtim të Pragës e ka kaluar sinjalin e stopit dhe e ka goditur një tren të pasagjerëve që ishte duke shkuar për në qytetin Domazlice.

Autoritetet thonë se është e paqartë nëse arsyeja ishte gabim i ngasësve apo ndonjë gabim teknik.

Mediumet lokale kanë raportuar se dy ngasësit kanë vdekur në aksident, si dhe një pasagjere.

Përplasja ndodhi rreth orës 8 të mëngjesit me kohë lokale në fshatin Milavce që është 140 kilometra në jugperëndim të kryeqendrës së Çekisë, Pragës.

13:24

2 të vdekur, dhjetëra të lënduar nga përplasja e trenave në Çeki

Dy trena udhëtarësh janë përplasur të mërkurën në jugperëndim të Republikës Çeke, duke lënë të vdekur të paktën dy pasagjerë dhe të lënduar me dhjetëra të tjerë.

Policia ka bërë të ditur se përplasja ka ndodhur në afërsi të qytetit Milavce. Autoriteti çek i Hekurudhave ka njoftuar se në aksident janë përfshirë një tren ndërkombëtar i shpejtësisë së madhe që qarkullonte nga qyteti perëndimor Plzen drejt Munihut të Gjermanisë dhe një i linjës lokale. Departamenti rajonal i zjarrfikjes ka bërë të ditur se të paktën dy persona kanë mbetur të vdekur me këtë rast dhe me dhjetëra të tjerë kanë pësuar lëndime, pesë prej të cilëve të rënda. Katër helikopterë janë angazhuar në transportimin e të lënduarve në spitalet e afërta.

Ministri i Transportit, Karel Havlicek, ka thënë se gabimi njerëzor besohet të jetë shkaktari i aksidentit, pasi që ngasësi i trenit të shpejt nuk ka arritur që të frenojë në lokacionin e destinuar.