Botë

Si mund ta pasojnë SPD-ja dhe Scholzi Angela Merkelin?

 

Socialdemokrati pragmatist shpreson të marrë drejtimin e Qeverisë së ardhshme, duke përdorur qasje të ngjashme me të kancelares aktuale, shkruan revista britanike “New Statesman”

Kur Olaf Scholz u bë kandidat për kancelar i Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD) në gushtin e vitit 2020, përpjekja e tij për të pasuar Angela Merkel në drejtimin e ekonomisë më të madhe të Evropës dukej si përkufizim fjalori i një kauze të humbur, e nis shkrimin analitik revista “New Statesman” për ngritjen e shpejtë të socialdemokratit në sondazhet e fundit. “Aq robotik e jokarizmatik konsiderohej personaliteti publik, saqë njihej prej kohësh si sScholz-o-mat’. Nëntë muaj më parë, ai as nuk kishte arritur të fitonte udhëheqjen e SPD-së, duke humbur nga një kandidaturë rivale nga krahu i majtë. Përzgjedhja e tij si kancelar do të dukej për shumë njerëz si zgjedhja e dëshpëruar e një partie pa alternativa”, shkruan revista britanike.

Në fund të fundit, vetë SPD-ja - ndoshta forca politike më e famshme dhe më e nderuar e Evropës, partia e August Bebelit, Friedrich Ebertit, Willy Brandtit dhe Gerhard Schröderit - kishte rënë në vendin e tretë me rreth 14 për qind në sondazhe. Vitet e gjata si partnere e vogël ndaj Merkelit, nën të cilën Scholz ka shërbyer që nga viti 2018 si zëvendëskancelar dhe ministër i Financave në një "koalicion të madh", ia kishin zbehur SPD-së përcaktimin dhe besimin. Partia mishëronte krizën e demokracisë sociale evropiane, shkruan “New Statesman”.