Gjenerali që prapa shpinës së Trumpit e shmangu më të keqen

Dy ditë pas sulmit në ndërtesën e Capitolit në Washington më 6 janar, këshilltari ushtarak i ish-presidentit Donald Trump, gjenerali Mark Milley vetë e kryesoi një aksion tepër të fshehtë për t’ia kufizuar republikanit urdhrin për ndonjë sulm të mundshëm ushtarak apo përdorimin e armëve bërthamore. Këto hollësi i ka hedhur në dritë libri i ri “Peril”, i shkruar nga gazetari legjendar, Bob Woodward dhe reporteri veteran i gazetës “Washington Postit”, Robert Costa.
Libri “Peril”, gazetarit Bob Woodward dhe reporterit Robert Costa, është i bazuar në më shumë se 200 intervista me zyrtarët dhe dëshmitarët kryesorë. E shpërfaq portretin e Trumpit që po kalonte ditët e fundit si president. Libri i rikujton momentet e rënda prapa skenave të presidentit shpërthyes që me të bërtitura ndaj zyrtarëve po kërkonte të mbante pushtetin
Dy ditë pas sulmit në ndërtesën e Capitolit në Washington më 6 janar, këshilltari ushtarak i ish-presidentit Donald Trump, gjenerali Mark Milley vetë e kryesoi një aksion tepër të fshehtë për t’ia kufizuar republikanit urdhrin për ndonjë sulm të mundshëm ushtarak apo përdorimin e armëve bërthamore. Këto hollësi i ka hedhur në dritë libri i ri “Peril”, i shkruar nga gazetari legjendar, Bob Woodward dhe reporteri veteran i gazetës “Washington Postit”, Robert Costa.
Woodward dhe Costa kanë shkruar se gjenerali Milley, i lëkundur fort nga sulmi në Capitol, ishte i bindur se Trumpi kishte kaluar në gjendje të rëndë mendore pas humbjes në zgjedhje, “sidomos kur shfaqej si maniak dhe u bërtiste zyrtarëve”, ka shkruar agjencia amerikane CNN. Sipas librit, Trumpi kishte nisur të krijonte realitetin e vet për konspiracionet e pafundme të zgjedhjeve. Milley ishte i shqetësuar se Trumpi mund ta tepronte, kanë shkruar autorët e librit “Peril”, fragmentet e të cilit i citon CNN.
“E kuptuat?”
“Kurrë nuk e dini se çfarë është pika kritike e një presidenti”, u kishte thënë Milley ndihmësve të vet.
Për të shmangur çdo rrezik, Milley ndërmori veprime të jashtëzakonshme. Thirri një takim sekret në zyrën e tij në Pentagon më 8 janar. Qëllimi ishte rivlerësimi i proceseve për operacion ushtarak, përfshirë përdorimin e armëve bërthamore. Duke folur para zyrtarëve më të rryer ushtarakë që ishin në krye të Qendrës Komanduese të Ushtrisë, në dhomën e luftës Milley u kërkoi që të mos pranonin urdhra nga askush nëse ai nuk do të ishte i përfshirë.
“Nuk ka lidhje se çfarë ju thonë, vetëm kryejeni procedurën. Përfundoni procesin. Dhe unë pjesë e kësaj procedure”, u ka thënë Milley oficerëve, shkruhet në libër. Ai eci përreth dhomës dhe secilin e shikoi në sy. U kërkoi veç e veç që me fjalë t’ia konfirmonin se e kishin kuptuar urdhrin.
“E kuptuat?”, i kishte pyetur Milley. “Po, zotëri”, i ishin përgjigjur ata.
“Milley këtë e konsideronte si betim”, kanë shkruar autorët.
Libri “Peril” është i bazuar në më shumë se 200 intervista me zyrtarët dhe dëshmitarët kryesorë. E shpërfaq portretin e Trumpit që po kalonte ditët e fundit si president.
Libri, i treti i Woodwardit për presidencën Trump, rikujton momentet e rënda prapa skenave të presidentit shpërthyes që me të bërtitura ndaj zyrtarëve po kërkonte të mbante pushtetin.
CNN shkruan se libri përfshin raportime ekskluzive të ngjarjeve që u paraprinë kaosit të 6 janarit dhe reagimit të Trumpit, por edhe për detajet e reja të përballjes së 5 janarit mes Trumpit dhe zëvendëspresidentit të tij, Mike Pence.
Woodward dhe Costa kanë siguruar dokumente, kalendarë, ditarë, emaila, shënime takimesh dhe transkriptime.
Libri gjithashtu analizon vendimin e Joe Bidenit për të garuar përsëri në rolin e presidentit; gjashtë muajt e parë të presidencës; përse bëri presion për largimin nga Afganistani; dhe si ndihet sinqerisht për CNN-in. Pak para se të publikohet libri më 21 shtator, CNN-i ka siguruar një kopje të tij.

“E dini se është i çmendur”
Frika e gjeneralit Milley ishte e bazuar në analizat që ia ka bërë sjelljes së çuditshme të Trumpit. Shqetësimi i ishte rritur nga ngjarjet e 6 janarit dhe rrezikut të madh që po i kanosej sigurisë kombëtare, kanë shkruar autorët. Milley gjithashtu kishte bërë disa telefonata sekrete me gjeneralët kryesorë të Kinës, të cilët ishin të alarmuar për kaosin në Amerikë.
Pastaj Milley pranoi një telefonatë të papritur nga kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, thuhet në libër. Woodard dhe Costa kanë siguruar transkriptin e thirrjes telefonike, në të cilën Milley kishte tentuar të bindte Pelosin se armët bërthamore ishin të sigurta. Pelosit nuk i mbushej mendja.
“Ajo çfarë po them është se nëse nuk kanë mundur ta ndalnin nga sulmi i Capitolit, kushedi se çfarë mund të bëjë? Dhe a është dikush në detyrë në Shtëpinë e Bardhë, i cili po bën diçka tjetër pos duke puthur bythën e tij të trashë për këtë?”
E dini që është i çmendur. I tillë ka qenë tash e një kohë”, kishte thënë Pelosi.
Sipas Woodardit dhe Costas, Milley i ishte përgjigjur: “Zonja kryetare, pajtohem me ju për çdo gjë”.
Pas telefonatës, Milley vendosi se duhej të vepronte. U tha shefave kryesorë të sigurisë që të mbikëqyrnin çdo gjë. Telefonoi edhe drejtorin e Agjencisë Kombëtare të Sigurisë, Paul Nakasonen. Atë e porositi: “Mbikëqyr çdo gjë”. Pastaj drejtoreshës së atëhershme të CIA-së, Gina Haspel: “Me agresivitet kontrollo çdo gjë, 360 shkallë”, citon CNN-i.
Autorët kanë shkruar “Milley po mbikëqyrte mobilizimin e sigurisë kombëtare të Amerikës pa dijeninë e amerikanëve dhe pjesës tjetër të botës”.
Woodward dhe Costa gjithashtu shkruajnë se “ani pse dikush mund të thotë se Milley tejkaloi autoritetin e vet dhe mori fuqi të jashtëzakonshme për veten”, por ai besonte se veprimet e tij ishin masë e besimit të mirë për t’u siguruar se nuk do të ketë çarje në rendin ndërkombëtar, luftë aksidentale me Kinën dhe të tjerët dhe përdorim të armëve bërthamore.
Trumpi i paparashikueshëm
Frika e Milleyt se Trumpi mund të bënte diçka të paparashikueshme erdhi nga përvoja. Fill pas humbjes së zgjedhjeve, Milley zbuloi se Trumpi kishte nënshkruar një urdhër ushtarak për tërheqjen e të gjitha trupave nga Afganistani më 15 janar të vitit 2021, para se të largohej nga Shtëpia e Bardhë.
Memorandumi fshehurazi ishte shkruar nga dy ndihmës të Trumpit. Askush nga ekipi i sigurisë kombëtare nuk e dinte për këtë, thuhet në libër. Memorandumi ishte shfuqizuar, por Milley nuk mund të harronte se Trumpi kishte përfunduar punë me këshilltarët ushtarakë.
Woodward dhe Costa shkruajnë se pas 6 janarit, Milley nuk kishte më qartësi se ushtria mund të kontrollohej ose mund t’i besonte Trumpit. Kështu vendosi se e kishte për detyrë si oficer i lartë ushtarak të mendonte atë që nuk mund të mendohej dhe të merrte çdo masë të nevojshme.
Milley i cilësoi si momentet më të errëta të mundësive teorike”, shkruajnë autorët.
“Peril” është njëri prej disa librave të publikuar sivjet, të cilët kanë dokumentuar ditët e fundit të presidencës së Trumpit. Në librin “I Alone Can Fix It”, gazetarët e “Washington Post”, Phil Rucker dhe Carol Leonnig, në detaje treguan për bisedat e Milley me gjeneralët amerikanë që t’u rezistonin urdhrave të jashtëligjshëm të Trumpit në kohën e turbullt të ndonjë grusht shteti nga aleatët e tij.
“Tërboje qenin”
Woodward dhe Costa kanë shkruar se zyrtarët e lartë të sigurisë kombëtare ishin të shqetësuar se Trumpi “mund të tërbonte qenin”- provokim i një konflikti të brendshëm ose të jashtëm për të larguar vëmendjen nga shmangia e humbjes së tij.
Kur Trumpi refuzoi të pranonte rezultatin e zgjedhjeve të nëntorit 2020, Haspel paralajmëroi Milleyn: “Po shkojmë drejt një grusht shteti të krahut të djathtë. Krejt kjo është djallëzi. Po vepron si një gjashtëvjeçar”. Haspel gjithashtu ishte e shqetësuar se Trumpi mund të sulmonte edhe Iranin.
“Është një situatë shumë e rrezikshme. Do të shfarosemi për teket e egos së tij”, kishte thënë ajo, sipas librit.
Madje edhe disa prej këshilltarëve kryesorë të Trumpit, privatisht kishin shprehur shqetësime për të pas zgjedhjeve. Atëherë sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, i kishte thënë Milleyt se “Trumpi ishte në një vend të errët”.
Milley kishte vetëm një qëllim: bartja paqësore e pushtetit më 20 janar. Siç i kishte thënë Pompeos: “Kemi një aeroplan me katër motorë, por tre prej tyre janë prishur. Nuk kemi frerë. Mirëpo do ta ulim këtë aeroplan, dhe do ta ulim sigurt”.
Përktheu: Gent Mehmeti
(Vijon)
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.