Botë

I dërguari amerikan dhe talebanët fajësojnë ish-presidentin afgan për prishjen e planit

 

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për paqen në Afganistan thotë se kishte siguruar një marrëveshje të minutës së fundit me talebanët në muajin gusht, për mbajtjen e rebelëve jashtë Kabulit, ndërsa negociohej tranzicioni politik. Por, ai thotë se largimi nga vendi i Presidentit Ashraf Ghani e dëmtoi planin.

I dërguari amerikan (i lindur në Afganistan) Zalmay Khalilzad e bëri këtë zbulim gjatë bisedës me gazetën The Financial Times, duke shtuar se kishin arritur marrëveshjen për një periudhë pauze dyjavore, vetëm pak orë përpara se kryeqyteti afgan të binte në duart e talebanëve më 15 gusht. Ai tha se arratisja e Ghanit la një vakum sigurie në qytet, që e nxiti grupin islamik të marshonte drejt qytetit po atë ditë.