Botë

“Thikë pas shpine”: Franca denoncon paktin SHBA-Britani-Australi ndaj Kinës

 

“Ky vendim brutal, i njëanshëm dhe i paparashikueshëm m’i rikujton fort ato gjëra që i bënte Trumpi”, ka theksuar ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian, duke folur për radiostacionin “Franceinfo”. “Jam i zemëruar dhe i trishtuar. Një gjë e tillë nuk u bëhet aleatëve”

Franca ka akuzuar të enjten presidentin amerikan, Joe Biden, se ia ka “ngulitur thikën pas shpine” dhe se po sillet sikurse pararendësi i tij, Donald Trump, pasi që Parisit i është pamundësuar jetësimi i marrëveshjes së majme të mbrojtjes për blerjen e nëndetëseve, të nënshkruar me Australinë.

Reagimi i ashpër i Parisit është adresuar në ditën kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe Australia kanë zgjeruar partneritetin e sigurisë në rajonin indo-paqësor kundër Kinës dhe në kuadër të të cilit Australia do të sigurojë nëndetëse bërthamore amerikane duke e shkëputur ujdinë me Francën që e kap shifrën prej 40 miliardë dollarësh.