Botë

Rusia qëndroi prapa vrasjes së Litvinenkos, konkludon Gjykata Evropiane

 

Britania e Madhe, ku dhe ishte helmuar me polonium-210 ish-agjenti i KGB-së, prej kohësh e kishte fajësuar Moskën për rastin, ndërsa Gjykata Evropiane në Strasburg të Francës është dakorduar të martën, duke pretenduar se “vrasja e tij i atribuohet Rusisë”. Ky konkludim ka nxitur menjëherë reagimin e Kremlinit

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka konkluduar të martën se Rusia është përgjegjëse për vrasjen e ish-agjentit të KGB-së, Alexander Litvinenko, i cili ka përjetuar vdekje torturuese më 2006 pasi ishte helmuar në Londër me një substancë të rrallë radioaktive.

Litvinenko, një dezertor që do të kthehej në kritik të zëshëm të Kremlinit, ka vdekur tri javë pasi ka pirë çaj jeshil në të cilin ishte hedhur polonium-210, në një hotel luksoz të Londrës.