Botë

Tensione me Kinën: SHBA-ja e aleatët thellojnë angazhimin në Indo-Paqësor

 

Kina dërgoi 24 aeroplanë luftarakë drejt Tajvanit në një demonstrim madhor të forcës, pasi ishulli i shpalosi synimet për t’iu bashkuar një grupi tregtar të Paqësorit, ku Kina gjithashtu ka aplikuar për pranim. Krejt kjo pasi SHBA-ja dhe aleatët e saj perëndimorë kanë thelluar angazhimin në rajonin e gjerë dhe me interes të madh për Pekinin zyrtar

Me gjuhë përherë më të ashpër në mbështetje të Tajvanit, marrëveshjen e re për furnizimin e Australisë me nëndetëse bërthamore dhe me lansimin e një strategjie evropiane për angazhim më të madh në rajonin Indo-Paqësor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj po bëhen përherë e më kritikë në qasjen e tyre karshi Kinës në ngritje.

Kina ka reaguar menjëherë karshi veprimeve, teksa tensionet në rritje midis Pekinit dhe Washingtonit kanë nxitur sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, që t’u adresojë thirrje presidentit amerikan, Joe Biden, dhe homologut të tij kinez, Xi Jinping, për riparimin e marrëdhënieve “krejtësisht jofunksionale”, duke paralajmëruar se ato rrezikojnë të shkaktojnë ndasi në botë.