Botë

OBSH-ja synon të blejë ilaçe kundër COVID-19 për vendet e varfra

 

Organizata Botërore e Shëndetësisë synon t’u ndihmojë vendeve të varfra që të sigurojnë teste, vaksina dhe ilaçe antivirale për pacientët me simptoma të lehta të COVID-19. Sipas një dokumenti intern të siguruar nga Reutersi, kjo pritet të bëhet nëpërmjet një programi të veçantë që është ende në formën e draftit.

Dokumenti, i cili i përshkruan qëllimet e programit të OBSH-së deri në shtator të vitit të ardhshëm, specifikon se kësisoj do të dhurohen rreth 1 miliard teste ndaj COVID-19 për kombet më të varfra dhe do të blihen ilaçe për trajtimin e 120 milionë pacientëve në nivel global, nga rreth 200 milionë raste të reja që vlerësohet se do të paraqiten në 12 muajt e ardhshëm. Planet e shpërfaqin angazhimin e OBSH-së për t’i shtuar furnizimet me ilaçe dhe teste me një çmim relativisht të ulët.