1 perditesime
21:39

“Sakharovi” për Navalnyn, një goditje e rëndë për Putinin

Duke ia ndarë çmimin “Sakharov” Navalnyt, Parlamenti Evropian ka lartësuar “trimërinë e tij të jashtëzakonshme”. Aktivisti 45-vjeçar ishte helmuar me agjent nervor vitin e shkuar dhe ishte arrestuar menjëherë pas kthimit të tij në Moskë nga Gjermania, ku ishte dërguar për trajtim. Ai më pas është dënuar me burgim nga drejtësia ruse

Lideri i burgosur opozitar rus, Alexei Navalny, është shpërblyer të mërkurën me çmimin kryesor të Bashkimit Evropian për të drejtat e njeriut, në një goditje të qartë kundër veprimeve të presidentit Vladimir Putin ndaj armikut të tij më të madh në vend.

Duke ia ndarë çmimin “Sakharov” Navalnyt, Parlamenti Evropian ka lartësuar “trimërinë e tij të jashtëzakonshme”. Aktivisti 45-vjeçar ishte helmuar me agjent nervor vitin e shkuar dhe ishte arrestuar menjëherë pas kthimit të tij në Moskë nga Gjermania, ku ishte dërguar për trajtim. Ai më pas është dënuar me burgim nga drejtësia ruse.

“Ai është ngritur vazhdimisht kundër korrupsionit të regjimit të Vladimir Putinit dhe nëpërmjet llogarive të tij në mediat sociale, si dhe fushatave politike, Navalny ka ndihmuar në ekspozimin e abuzimeve dhe në mobilizimin e mbështetjes së miliona njerëzve përreth Rusisë. Për këtë ai ishte helmuar dhe hedhur në burg”, ka thënë kryetari i Parlamentit Evropian, David Sassoli. Ai, për më tepër, ka kërkuar lirimin e tij të menjëhershëm.

Vlerësimi për Navalnyn do t’i thartësojë edhe më tepër marrëdhëniet midis bllokut 27-anëtarësh dhe Rusisë. Relacionet mes tyre kanë qenë në rënie për vite me radhë, veçmas pas aneksimit rus të Krimesë nga Ukraina më 2014 dhe mbështetjes që Moska u ka ofruar separatistëve në lindje të Ukrainës. Ndikimi ndërkaq është shtrirë edhe përtej BE-së.

Disa ditë pasi që Rusia e pezulloi misionin e saj në NATO dhe e urdhëroi mbylljen e zyrës së Aleancës në Moskë në kundërpërgjigje ndaj dëbimit të diplomatëve rusë nga NATO-ja, shefi i organizatës e ka përshëndetur lajmin.

“E mirëpres faktin që një zë i fortë... në Rusi është shpërblyer me këtë çmim”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Ai ka theksuar se çmimi është gjithashtu thirrje për “lirimin e pakusht të tij nga burgu” dhe që të ndërmerret “një hetim ndërkombëtar” lidhur me rastin.

Shefi i BE-së për politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka shkruar në Twitter se çmimi përbën njohje të “përkushtimit të Navalnyt në mbrojtjen e demokracisë në Rusi, me një çmim të madh personal”, ndërsa ka shtuar se BE-ja e kërkon “lirimin e tij të menjëhershëm dhe të pakusht”.

Çmimi prej 50 mijë eurosh do të ndahet në seancën e 15 dhjetorit të Parlamentit Evropian në Strasburg të Francës. Mes kandidatëve të tjerë për çmimin ishin një grup i grave afgane dhe politikania e ish-presidentja e përkohshme dhe e burgosur boliviane, Jeanine Anez.

18:59

Navalny i burgosur fiton çmimin e BE-së, “Sakharov”

Lideri i burgosur opozitar rus, Alexei Navalny, ka fituar çmimin e Bashkimit Evropian për të drejtat e njeriut, në një goditje të rëndë për veprimet e presidentit Vladimir Putin kundër armikut të tij më të madh në vend.

Gjatë ndarjes së çmimit Saharov për Navalnin, Parlamenti Evropian ka lartësuar “trimërinë e tij të pafund”. Aktivisti 45-vjeçar ishte helmuar me agjent nervor vitin e shkuar dhe ishte arrestuar gjatë kthimit të tij në Moskë nga Gjermania, ku ishte dërguar për trajtim mjekësor.

Pas kësaj ai ishte dënuar me burgim. Kryetari i Parlamentit Evropian, David Sassoli, ka bërë thirrje me këtë rast për lirimin e tij të menjëhershëm. Çmimi i ndarë për Navalnyn do t’i tensionojë edhe më shumë marrëdhëniet midis bllokut 27-anëtarësh dhe Rusisë, të cilat janë lëkundur shkaku i aneksimit rus të Krimesë dhe mbështetjes që Moska u ofron separatistëve në Ukrainë.