Botë

Alarm i Pentagonit: ISIS-i mund ta sulmojë SHBA-në vitin e ardhshëm

 

“Komuniteti i Inteligjencës aktualisht vlerëson se si ISIS-K, dega e grupit me seli në krahinën afgane Khorasan, ashtu edhe Al-Qaeda kanë synime që të kryejnë operacione të jashtme, përfshirë ato në Shtetet e Bashkuara, porse asnjëra aktualisht nuk ka kapacitete për ta bërë këtë. Mund ta shohim ISIS-K tek e gjeneron këtë kapacitet brenda një periudhe kohore prej gjashtë deri në 12 muaj”, ka theksuar Colin Kahl, nënsekretar i politikës për mbrojtje, duke shtuar se për këtë gjë Al-Qaedas mund t’i nevojiten “një vit apo dy”

Komuniteti amerikan i Inteligjencës ka vlerësuar se Shteti Islamik në Afganistan mund të ketë kapacitete për t’i sulmuar Shtetet e Bashkuara në më pak se gjashtë muaj dhe se ka synime për ta bërë një gjë të tillë, ka thënë të martën një zyrtar i lartë i Pentagonit, gjatë adresimit në Kongres.

Colin Kahl, nënsekretar i politikës për mbrojtje, ka thënë se “ende duhet të përcaktohet” nëse talebanët, të cilët janë armik i Shtetit Islamik, e kanë aftësinë që ta luftojnë në mënyrë efektive ISIS-in pas tërheqjes së SHBA-së në gusht.