Një skemë për të ndihmuar qytetarët me të hyra të pakta në Itali me qëllimin për të zbutur varfërinë dyshohet të jetë keqpërdorur nga mijëra deklarues, disa nga të cilët kishin nën pronësi të veten edhe Ferrari, jahte e prona të shtrenjta, ka njoftuar Policia.
Në mesin e atyre që përfituan ishin pjesëtarë të mafias dhe një person që mashtroi se ka fëmijë për të përfituar më shumë të hyra. Detajet dolën pas hetimit gjashtëmujor në disa rajone të Italisë.
“Ka pak nga gjithçka në mesin e atyre që kanë përfituar nga skema e të hyrave të qytetarëve në Italinë jugore”, ka njoftuar Policia.
Kostoja për shtetin në këtë rast besohet të ketë qenë rreth 20 milionë euro.
Hetimi ka identifikuar më shumë se 5000 raste të njerëzve që kanë mashtruar për të përfituar nga skema. Në mesin e tyre 90 kishin të kaluar kriminale.
Ishte edhe një 70-vjeçar nga Avellino që kishte edhe Ferrari e prona të shumta, dhe një person në Puglia që kishte nën pronësi një anije luksoze. Në Molise një grua është gjetur se ka pasur edhe biznes veturash, ndërsa një tjetër ka menaxhuar me shkollë vallëzimi. Një 50-vjeçar besohet se i takonte një klani mafioz në Avellino dhe po përfitonte po ashtu nga skema e shtetit.
“Skema e të hyrave” ishte politika kryesore e Lëvizjes Pesë Yje dhe u prezantua në vitin 2019, kur partia ishte pjesë e Qeverisë. Kërkuesit duhej të dëshmonin se të hyrat e tyre nuk tejkalonin 780-euroshin në muaj apo 1300 për familje me dy fëmijë.
Në vitin e parë të skemës, ajo i kushtoi Qeverisë rreth 7 miliardë euro.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.