Drejtori i Programit për Ushqim të Kombeve të Bashkuara, David Beasley, ka paraqitur planin se si do të mund të shpenzoheshin 6,6 miliardë dollarë për të t’i dhënë fund urisë në botë.
Ky plan është një përgjigje ndaj themeluesit të Teslas, Elon Musk, i cili ka deklaruar javë më parë se është i gatshëm të shesë një përqindje të aksioneve të Teslas. nëse ato do të ndihmonin për ta zhdukur çështjen e urisë në botë.
Beasley, drejtori i programit ushqimor të OKB-së dhe ish-guvernatori republikan i Karolinës së Jugut, postoi të hënën një "përmbledhje ekzekutive" ku përshkruan se si OKB-ja do të shpërndante vakte dhe kupona me vlerë 6.6 miliardë dollarë, për të ushqyer më shumë se 40 milionë njerëz, në 43 vende që janë "në prag të urisë" - duke shmangur kështu atë që Programi Botëror i Ushqimit (WFP) po e quan një "katastrofë" të afërt.
Në dokumentin e postuar nga Beasley, WFP-ja propozon të dedikohen 3.5 miliardë dollarë për të blerë dhe shpërndarë ushqim direkt, 2 miliardë dollarë për para dhe kupona ushqimor (përfshirë tarifat e transaksionit) në vendet ku mund të funksionojnë tregjet, dhe shpenzimin e 700 milionë dollarëve të tjerë për të menaxhuar programet e reja ushqimore, që janë "përshtatur me kushtet e vendit".
400 milionë dollarë të tjera do të përdoren për "menaxhimin e operacioneve, administrimin dhe llogaridhënien" dhe koordinimin e zinxhirit të furnizimit.
“Bota është në zjarr. Kam paralajmëruar për formimin e përsosur të stuhisë për shkak të COVID-19, konfliktit, goditjeve klimatike dhe tani, rritjes së kostove të zinxhirit të furnizimit”, ka shkruar Beasley.
"Kjo krizë urie është urgjente, e paprecedentë dhe e shmangshme," shkroi Beasley në një postim të veçantë në Twitter, duke etiketuar Muskin, i cili është personi më i pasur në botë, me një pasuri neto prej rreth 288 miliardë dollarë.
"Ju kërkuat një plan të qartë dhe libra të hapur. Ja ku është! Ne jemi gati të flasim me ju - dhe këdo tjetër që është serioz për të shpëtuar jetë”, ka shtuar Beasley.
Debati mes Muskit dhe Beasleyt filloi me një intervistë për CNN muajin e kaluar, në të cilën Beasley u kërkoi miliarderëve që të ndihmojnë në luftimin e urisë në botë, duke përmendur në mënyrë specifike dy njerëzit më të pasur në botë: Elon Musk, themelues i Teslas dhe Jeff Bezos, themelues i Amazonit.
Beasley pati deklaruar se dhënia e 6 miliardë dollarëve, ose 2% e pasurisë neto të Muskit, mund të ndihmojë në zgjidhjen e urisë në botë.
Disa ditë më pas Musk ishte përgjigjur në Twitter, duke shkruar, "Nëse WFP-ja mund të përshkruajë saktësisht se si 6 miliardë dollarë do ta zgjidhnin urinë në botë, unë jam i gatshëm t’i shes aksionet e Tesla-s tani”.
Mirëpo, Muski për dhënien e këtyre parave pati vënë kusht që çdo shpenzim do të duhej të ishte me burim të hapur, në mënyrë që publiku të shohë saktësisht se si u shpenzuan paratë.
Përpara pandemisë me COVID-19, kriza e urisë në botë ishte përkeqësuar nga ndryshimet klimatike dhe konfliktet.
Ndërkohë, nuk është e qartë nëse Musk ose Bezos e kanë parë planin dhe përfundimisht do të vendosin të japin mbështetjen e tyre.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.