Botë

Këta janë ministrat më të rëndësishëm gjermanë

Foto: AP
 

MINISTRE E JASHTME: Annalena Baerbock

Për herë të parë të Gjelbrit morën ministrinë e Jashtme gjermane në vitin 1998. Atëherë në Kosovë mbretëronte luftë dhe ministri i ri Joschka Fischer, ndonëse vinte nga një parti pacifiste, ndoqi një politikë të qartë transatlantike dhe proamerikane, duke përkrahur ndërhyrjen e NATO-se për çlirimin e Kosovës nga sundimi kriminal serb. Me Annalena Baerbock të Gjelbrit “pushtojnë” ministrinë prestigjioze për herë të dytë – dhe për herë të parë në historinë e Gjermanisë një grua do të jetë ministre e jashtme. Baerbock ishte kandidate e të Gjelbërve për kancelare, por partia e saj doli e treta në zgjedhje – edhe për shkak se para fushatës elektorale u zbulua se Baerbock e kishte stolisur një libër të sajin me disa paragrafë pagjiaturë. Baerbock (bashkë me Robert Habeck) është shefe e partisë që nga viti 2018. Baerbock u lind më 1980 në Hannover, është politologe, me një master nga London School of Economics (LSE). I përket krahut realist të të Gjelbërve dhe është kritike ndaj shteteve autokratike si Rusia dhe Kina.